Lajme Shqip Thursday, 06 October 2011 14:24

Shpëtim Idrizi kryetar i PDIU-së, komentoi idenë e hedhur një ditë më pare nga kreu i aleancës KuqeZi Kreshnik Spahiu, për regjistrimin e pronave të çamëve përgjatë censusit, nga një organizatë tjetër.

Sipas Idrizit: “Realisht, është e gjitha pa sens dhe pa kuptim. Qartësisht ka mungesë informacioni për outsider brenda kësaj çështjeje, sepse shqiptarët e Çamërisë jo vetëm që i dinë mirë pronat, shtëpitë, lugët, pirunjtë që i kanë lënë pas në atë genocid dhe atë masakër, por disa studiues aty duhet t’i kishin thënë këtij personi, se që në vitin 1946, në konferencën e parë të shqiptarëve të Çamërisë, janë evidentuar të gjitha pronat e çamëve.”

Kreu i PDIU-së që e ka ngritur filozofinë e partisë së tij kryesisht mbi promovimin e çështjes came, shprehet:  “Jo vetëm ato që janë me tapi, e janë të rregjistruara, por bëhet fjalë edhe për pasuritë e luajtshme, pra llogaritë bankare, gjëja e gjallë, e të tjera. Mjafton të gërmosh pak dhe aty janë të shënuara të gjitha pronat e shqiptarëve të Çamërisë. Është për të ardhur keq, që shqiptarët e Çamërisë, nga dikush cilësohen si muhaxhirë. Ne jemi qytetarë shqiptarë, jemi pjesë e shqiptarëve dhe nuk mund të veçohemi nga shqiptarët e tjerë.”

Idrizi i kujtoi kreut të Aleancës Kuqezi  se: “Pa dyshim, që e drejta jonë historike, personale, njerëzore, është e pamohueshme dhe shqiptarët e Çamërisë janë më të organizuar se kurrë dhe kanë shoqatën “Çamëria”, Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe kanë rrugën e qasjes për të kërkuar të drejtat e tyre. Pra do ta quaja një lapsus nga njerëz që nuk e kanë idenë të historisë dhe të çështjes së shqitparëve të Çamërisë.”