Lajme Shqip Saturday, 10 March 2012 14:56

Tiranë- Një ditë pas deklaratave të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, Grigoris Delavekuras, ku shprehte shqetësimin e Athinës zyrtare ndaj vendimit të fundit të qeverisë shqiptare për të bërë pjesë të saj edhe Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ka reaguar sot kjo e fundit.

Në një deklaratë për shtyp kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, e cilësoi reagimin e zëdhënësit grek kërcënim për integrimin e Shqipërisë, ndërsa theksoi se pavarësisht kësaj integrimi ynë nuk kalon nga Athina.

PDIU e cilësoi deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, Gregori Delavekuras, tentativë për të ndërhyrë në punët e brendshme të Shqipërisë, si dhe një kërcënim ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Përfshirja jonë në qeveri do të mbrojë minoritetet në Shqipëri. Jemi në mbrojtje të pakicave, por thelbësore është respektimi i reciprocitetit. Shteti grek të distancohet nga këto qëndrime, integrimi ynë nuk kalon nga Athina”, tha ai.

“Një sjellje e tillë e shantazhimit të Shqipërisë, me procesin e integrimit, vetëm e vetëm për të përmbushur oreksin e pangopur nacionalist të qarqeve të caktuara në Greqi, nuk ka asnjë gjë të përbashkët me politikën zyrtare të Bashkimit Evropian dhe me vlerat e larta që Brukseli do të përhapë në Ballkan. Ne e sqarojme zotin Delavekuras se qëndrimet e PDIU nuk bihen kurrsesi ndesh me frymën integruese të Shqipërisë, përkundrazi, në programin e partisë sonë integrimi në Bashkimin Evropian dhe, thellimi i marrëdhënieve me vendet e Aleancës së Atlantikut, janë prioritete thelbësore”, thuhet në deklaratën e PDIU-së.

Të premten në një komunikim me mediat, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Grigoris Delavekuras, tha se qeveria helene po e monitoron situatën, megjithëse kjo është një çështje e brendshme e Shqipërisë. (LajmeShqip.com)