Lajme Shqip Thursday, 26 April 2012 18:20

Prishtinë -Zyra Civile Ndërkombëtare publikoi sot raportin “Mysafirë në shtëpinë tonë: Propozimi Gjithëpërfshirës për Statusin dhe komuniteti serb në Kosovën veriore”.

Raporti është rezultat i një aktiviteti të rëndësishëm të konsultimit me qytetarët, i zhvilluar nga zyra e ICO-s në Mitrovicë.  Publikimi paraqet konstatimet dhe diskutimet e hollësishme me mbi 100 serbë nga Kosova veriore. Për herë të parë ky është zëri i një mostre solide dhe përfaqësuese të serbëve që jetojnë në Kosovën veriore të cilët flasin për Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin.

Siç thekson një serb i cituar në raport, “çdo gjë është e shkruar mirë në letër, por nuk kemi kurrfarë garancish.” “Mendoj se Plani ofron mundësi shumë të mira për serbët. Aty parashihet universiteti, donacionet nga Beogradi. Por unë dua të di se ‘cili është Plani?’ i Qeverisë së Kosovës. Sa shkolla, spitale etj, do të hapin në veri?”, citohet më tej.

“Raporti përfundon se Propozimi Gjithëpërfshirës për Statusin nuk përmban mekanizma të pranueshëm – apo të dëshiruar – që do të mundësonin adresimin e shqetësimeve të serbëve që jetojnë në Kosovën veriore dhe se gjendja në terren nuk do të përmirësohet nëse nuk do ndryshojë mendimi dhe qëndrimi në Beograd. Edhe Qeveria e Kosovës duhet të bëjë maksimumin për t’ia shtrirë dorën komunitetit serb që jeton në veri. ICO shpreson që raporti do të kontribuojë në stimulimin e të menduarit kreativ dhe në arritjen e progresit praktik për të mirën afatgjate të qytetarëve të veriut dhe të një Kosove stabile”, theksohet në komunikatë.

Publikimi i raportit u mundësua falë mbështetjes financiare të Qeverisë së Zvicrës përmes ambasadës së Zvicrës në Prishtinë. Gjetjet e raportit të ri “Mysafirë në shtëpinë tonë: Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit dhe Komuniteti serb në Kosovën veriore” u prezantua sot  në një konferencë për shtyp në Zyrën e ICO-së në Mitrovicë. (LajmeShqip.com)