Lajme Shqip Thursday, 07 July 2011 11:04

Prishtinë – Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) ka ndalur së monitoruari shkallën e implementimit të Pakos së Presidentit Martti Ahtisaari, mbi bazën e së cilës është shpallur pavarësia e Kosovës.
Në një dokument të ICO-së, që e ka parë Portali LajmeShqip.com, parashihet që periudha e pavarësisë së mbikëqyrur të jetë deri kur pakoja të zbatohet në tërësi. Prej se Kosova ka shpallur pavarësinë në shkurt të 2008-ës, për çdo gjashtë muaj ICO-ja is ka bërë “update” matricës që tregon shkallën e zbatimit të kësaj Pakoje. Ky ka qenë edhe mandate i kësaj zyreje ndërkombëtare.

Matrica e fundit, e cila ndodhet edhe në ueb-faqen e ICO-së, është përpunuar në dhjetor të vitit të kaluar.
Një matricë e re nuk do të dalë, i ka thënë portalit LajmeShqip.com një burim i afërt me shefin e ICO-së, Pieter Feith.
“Pavarësisë së mbikëqyrur po i afrohet fundi, sepse progresi është i konsiderueshëm dhe është vendosur që të mos përcillet më tej gjendja e zbatimit të propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit. Janë të papërfillshme detyrat e mbetura, përpos angazhimit më të madh që kërkohet në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe krijimit të Komunës së Mitrovicës Veriore”, ka bërë të ditur burimi.
“Shefi i ICO-së, Pieter Feith, ka marrë sinjale nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues që të punojë më shumë dhe të tregojë progres në krijimin e komunës së Mitrovicës së Veriut, veprim i cili do të shënojë edhe fundin e pavarësisë së mbikëqyrur”, ka thënë ky burim ndërkombëtar.
ICO-ja nuk ka dhënë një datë se kur do ta përmbyllë misionin në Kosovë, por ka vendosur të mbyllë tri prej pesë zyrave rajonale, atë të Pejës, Prizrenit e Gjilanit. Për zyrën në Prishtinë nuk është përmendur një datë kur do të mbyllet, ndërkaq ajo në Mitrovicë pritet të jetë e fundit që do t’i vihet dryni, nga fakti se ky mekanizëm ndërkombëtar që mbikëqyrë pavarësinë e Kosovës, ka ndër detyrat bazë që ta bëjë me dy komuna qytetin verior industrial, i cili  ndahet etnikisht përmes lumit Ibër. (LajmeShqip.com)