Lajme Shqip Saturday, 10 December 2011 15:11

Prishtinë- Për Qeverinë e Kosovës zgjidhja e vetme për veriun mbetet zbatimi i Paketës Ahtisaari, tha sot në Berlin zv/ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Ibrahim Gashi.

Ai merr pjesë në konferencën e nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor, që po organizohet për herë të katërt me iniciativën e Institutit Aspen në Gjermani, bën të ditur MPJ kosovare.

Gashi ka folur për situatën në veri të Kosovës, ku ka theksuar se qeveria e Serbisë ka mbajtur, kontrolluar dhe sponsorizuar një sistem tërësisht ilegal të strukturave të saj. Sipas tij, në këtë pjesë të Kosovës komuniteti serb ka qenë peng i politikës së Beogradit dhe i strukturave kriminale.

Zv/ministri Gashi ka folur edhe për angazhimin e qeverisë së Kosovës për paqe, stabilitet dhe një të ardhme evropiane për tërë rajonin, duke theksuar se lidershipi i Kosovës është treguar i vullnetshëm për dialog teknik me Serbinë, që po zhvillohet nën mbikëqyrjen e BE-së.

Gashi ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e vendosur t’ju sigurojë të gjithë qytetarëve një të ardhme evropiane, duke pasur përherë si synim strategjik integrimin e Kosovës në institucione euroatlantike.