Lajme Shqip Wednesday, 26 December 2012 15:49

Mitrovicë – Rreth 100 serbë nga veriu i Kosovës, në tri lokacione të ndryshme po protestojnë edhe sot nga ora 10:00, duke bllokuar disa rrugë që çojnë në veri të Kosovës dhe në pikën kufitare Jarinjë.

Protesta është mbajtur për të reaguar ndaj marrëveshjes të arritur në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për menaxhimin e përbashkët të kufirit dhe pagesën e doganës. Sipas  burimeve, rreth 50 serbët kanë bllokuar pikën kufitare në Jarinjë, pastaj në fshatin Rudare të Zveçanit, ndërsa rreth 30 protestues kanë bllokuar udhëkryqin tek ura kryesore mbi lumin Ibër.

“Në veri të Mitrovicës janë mbyllur të gjitha dyqanet për dy orë, ndërsa në mesin e protestuesve janë edhe krerët ilegalë të veriut, pastaj edhe punëtorë të organizatave shoqërore në veri”, kanë thënë burimet, duke shtuar se në anën e Kollashinit, përkatësisht në drejtim të pikës kufitare Bërnjakë, nuk ka protestues dhe se qarkullimi në këtë drejtim po zhvillohet normalisht. Mbajtjen e protestave e ka konfirmuar edhe zv. komandanti rajonal i policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Ergin Mediq.

Sipas tij, protestat janë zhvilluar të qeta dhe nuk është raportuar për ndonjë incident.(LajmeShqip.com)