Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 10:44

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha tha sot, gjatë ceremonisë së përurimit të fillimit të punimeve në autostradën Tiranë-Elbasan, se pas Rrugës së Kombit, kjo autostradë përbën veprën e dytë më të madhe publike që ndërtohet në historinë e kombit shqiptar.

Kryeministri Berisha përuroi sot, në Ibë, fillimin e punimeve për ndërtimin e tunelit në autostradën që lidh Tiranën me Elbasanin, një aks mjaft i rëndësishëm për infrastrukturën rrugore të vendit.

“Pranvera e vitit 2011 shënon fillimin e shndërrimit në realitet të ëndrrës së miliona udhëtarëve, të cilët udhëtonin nëpër Qafën e Kërrabës drejt Tiranës. Kjo ëndërr që nis sot shndërrimin e saj në realitet do të realizohet brenda një harku kohor 18 mujor”, tha Berisha.

Kryeministri theksoi se “gjatësia e kësaj autostrade është 31.7 km dhe me një tunel 2.4 km të gjatë”. “Autostrada ka 21 viadukte, 7 mbikalime, 4 nënkalime dhe një shpejtësi lëvizje 120 km në orë. Kjo autostradë shkurton së paku me 50 minuta distancën e Tiranës me Elbasanin, pra shkurton në 2/3 këtë distancë dhe de facto e bën Elbasanin qytetin më të afërt me Tiranën”, tha Berisha.

Ai theksoi se autostrada mbipërgjysmon edhe distancën e qarqeve të tjera, si Korça dhe së shpejti edhe Berati me kryeqytetin e vendit. Berisha theksoi se autostrada Tiranë-Elbasan krijon edhe rajonin më të madh të tregut në Shqipëri dhe një ndër më të mëdhenjtë në rajon, pasi Tirana, Elbasani dhe Durrësi shndërrohen në një treg të përbashkët.

Në këtë drejtim, ai shprehu bindjen se tregu i punës do të njohë dimensione krejt të reja dhe qytetarët e Elbasanit do të mund të punësohen në Tiranë dhe të shpenzojnë pothuajse të njëjtën kohë për udhëtim sa shpenzojnë aktualisht, por jo në të ardhmen, qytetarët e Kombinatit që punojnë pranë Spitalit Nënë Tereza, në kryeqytet.

“Autostrada Tiranë-Elbasan fuqizon tregun në tërësi, pasi fermerët e Kolonjës, Korçës, Pogradecit, Librazhdit, Gramshit dhe Dumresë do të arrijnë në Tiranë në një kohë të përafërt me atë që kapin epiqendrat e rretheve të tyre”, tha Berisha.

Autostrada Tiranë-Elbasan, sipas Berishës, shumëfishon edhe potencialet turistike të Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit dhe bën të mundur eksplorimin dhe zhvillimin e të gjitha potencialeve të mëdha turistike të kësaj treve.

“Rruga është jetë dhe ne po shtojmë një gjallesë gjigande që do të lidhë Tiranën me Elbasanin. Ky është projekti i dytë infrastrukturor më i rëndësishëm ndërkombëtar, pasi është segmenti më nevralgjik i Korridorit të 8-të dhe segmenti më i kushtueshëm, më i rëndësishëm dhe nevralgjik për Boshtin e Jugut”, tha Berisha.

Duke vlerësuar kompaninë greke “Aktor’, e cila do të ndërtojë këtë autostradë, Berisha shprehu bindjen se kjo kompani do të jetë së shpejti një aktor po aq i madh në Shqipëri sa është në Greqi dhe vendet e tjera të rajonit.

“Suksesi dhe eksperienca e shkëlqyer e kësaj kompanie, por edhe vendimi i qeverisë shqiptare për t’i dhënë përparësi absolute kësaj vepre, janë garancitë e plota të përfundimit të saj me sukses në 18 muajt që vijnë”, tha Berisha, ndërsa e cilësoi ndërtimin e kësaj autostrade një kontribut të madh në ndërtimin e Europës në Shqipëri.

“Ëndrra jonë europiane bëhet realitet në çdo rrugë të re që ndërtojmë, në çdo mal që ne çajmë dhe çdo shkollë, ujësjellës dhe vepër publike apo private që ndërtojmë”, tha Berisha.

Ai shprehu bindjen se në pranverën e vitit 2013, dy qytetarët e parë të bashkisë së Tiranës dhe Elbasanit do të presin shirtin e përfundimit të punimeve. “Falënderoj në mënyrë të posaçme Lulzim Bashën sepse ishte ai që në vitin 2009 u angazhua dhe garantoi financimin e kësaj vepre. Falënderoj edhe Durim Hushin për punën e shkëlqyer që po bën në qytetin e Elbasanit për promovimin e kësaj vepre të rëndësishme, por edhe Andrea Manon dhe qeveritarët e tjerë të ardhshëm vendorë”, tha më tej Berisha.

Kryeministri theksoi se autostrada Tiranë-Elbasan është një korridor tjetër jetik i sistemit rrugor të Shqipërisë që së shpejti do të jetë më i riu dhe më moderni në rajon.

“Kryetari i opozitës, nëse do të jetë atëherë, do të thotë se Berisha udhëton me reaktiv dhe jo me helikopterë më, sepse i ka ngelur mendja tek rrugët e vjetra”, tha në përfundim Berisha.