Lajme Shqip Saturday, 03 November 2012 12:49

Tiranë – Dhjetë ditë pas mbylljes së grevës së urisë shënohet viktima e parë e protestës së ish-të përndjekurve.

Lirak Bejko, një nga dy ish-të përndjekurit politikë të cilët ndërmoren aktin e vetëflijimit në shenjë proteste ndaj qeverisë shqiptare për mosplotësimin e kërkesave të tyre për dhënien e dëmshpërblimit humbi jetën rreth mesditës së të premtes në një nga spitalet e Barit në Itali. Sipas mjekëve, Bejko ndërroi jetë pak pas orës 11:30 të paradites, duke mos i përballuar dot plagët e djegies të shkallës më të rëndë në më shumë se 50 përqind të trupit.  

Bejko iu bashkua grevës së urisë pikërisht ditën që një tjetër grevist, Gjergj Ndreca kishte tentuar vetëflijimin. Gjatë një takimi me ambasadorin amerikan Arvizu në ambientet e grevës, ai u bë i njohur si aktivist në grevë pasi nxorri protezat e dhëmbëve që i ishin thyer në burgjet e komunizmit.

Dy ditë më pas ai ndoqi aktin e shokut të tij në përpjekje të dëshpëruar për të kërkuar një zgjidhje të dhënies së dëmshpërblimeve. Bejko fillimisht u shtrua ne spitalin universitar “Nënë Tereza” në Tiranë, por mjekët deklaruan se gjendja shëndetësore e tij ishte tejet e vështire, pasi si pasojë e flakëve kishte djegie dhe plagë në një pjesë të organeve jetësore.

Me inisiativen e kreut të Partisë Socialiste dhe mbështetjen e ambasades italiane, ai u dërgua në një klinikë më të specializuar për djegiet në Bari të Italise, por pavarësisht trajtimit intensiv nuk mundi t’i mbijetonte plagëve. Shoket e tij të grevës së urisë janë duke u marrë me përgatijet e ceremonisë së varrimit, ndërkohe që trupi pritet të kthehet të dielen në mbrëmje.

Grevistet e urisë kërkojne që ceremonitë e lamtumires të kryhen në institutin e integrimit të të përndjekureve politikë. ”Ne do të kërkojmë që tek instituti të bëhen homazhet e fundit të Lirakut. Nesër në nëntë do të jenë grevistët dhe një pjesë të ish-të përndjekurve, për të kërkuar në mënyrë paqësore që të vihen në dispozicion ambientet e institutit. Drejtojmë gishtin e akuzës ndaj kryeministrit, përgjegjësi i drejtpërdrejtë i këtij akti makabër”, deklaroi Skënder Tufa, koordinatori i ish-të përndjekurve gjatë grevës së urisë. Lirak Bejko ishte i martuar dhe me dy fëmijë. Ai ishte i dënuar politik, pas një dënimi të marrë në vitet ’80, për tentativë arratisjeje.

Rama: “I shokuar nga vdekja jo natyrale. Bejko s’pa dritë të bardhë, as nën regjimin e Enverit dhe as të Saliut”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se është i shokuar nga vdekja jonatyrale e Lirak Bejkos, i burgosuri politik që nuk arriti t’i mbijetojë vuajtjes së shkaktuar nga indiferenca barbare e qeverisë.“Është tragjedia e një familjeje të varfër, që nuk pa një ditë të bardhë as nën regjimin e egër të Enver Hoxhës, as në kohët e zymta të Sali Berishës”, thotë Rama.

Sipas kreut të PS-së, është edhe më shumë se kaq, një tragjedi tronditëse për Shqipërinë e votave të vjedhura, premtimeve të pambajtura, zhgënjimeve të pambarimta.Edi Rama deklaron se kjo është tragjedia e një kauze të drejtë, përballë një qeverie të padenjë për çdo të burgosur politik të regjimit komunist, e cila u soll me Lirakun dhe grevistët e tjerë, po aq çnjerëzisht sa ç’sillej edhe ai regjim, kur të burgosurit kërkonin të drejta përmes grevave të urisë. Madje edhe më keq, deklaron Rama, sepse i burgosuri, që i mbijetoi dhunës së atij regjimi, nuk i mbijetoi dot arrogancës së kësaj qeverie.

Lideri i opozitës thotë se Lirak Bejko është shqiptari i 31-të, që ndahet nga jeta për shkak të kësaj arrogance vrastare, pas 26 të vrarëve në Gërdec dhe 4 të vrarëve në protestën e 21 janarit.Në reagimin e tij, lideri i opozitës thotë se, të gjithë ata kanë qenë njerëz të zakonshëm të këtij vendi, që sot nuk jetojnë më, pikërisht sepse të zakonshmit për këtë qeveri janë mish për top, edhe kur i vret, edhe kur i dhunon, edhe kur i vjedh, edhe kur i gënjen.Në fund të deklaratës së tij, Rama bën thirrje për një Shqipëri të re.

AK: Bejko, viktimë e regjimit të Berishës

Edhe Aleanca Kuqezi ka reaguar për ndarjen tragjikisht nga jeta të ish të përndjekurit politika, Lirak Bejko. Në një komunikatë për mediat, AK thotë se Bejko është një martir i demokracisë që do të frymëzojë gjithmonë revoltën për liri. Bejko, thuhet më tej, është viktima e radhës e mbjellë nga regjimi i Berishës i cili për këtë veprime duhet të ndëshkohet. AK shton se ish i përndjekuri Bejko do të nderohet si Hero i Demokracisë.

FRD: Viktima e një pushteti as demokratik dhe as europian

Ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të Lirak Bejkos u ka dërguar edhe Fryma e Re Demokratike. Në deklaratëne FRD-së thuhet se Bejko sakrifikoi rininë e tij në demokraci. “Një pushtet i ndërtuar mbi viktima, nuk është as demokratik dhe as europian”, thuhet më tej në deklaratë.

Vdekja e Bejkos, në sytë e mediave ndërkombëtare

Lajmi i vdekjes në spitalin e Barit të ish të përndjekurit Lirak Bejko ka bërë bujë edhe në mediat ndërkombëtare. Prestigjozja amerikane, Huffington Post në edicionin online të saj shkruan për lajmin tragjik duke shtuar se Bejko ishte pjesë e grevës së urisë së ish të përndjekurve që kërkuan dëmshpërblim për vitet e burgimit.

Greva e urisë përfundoi pas një muaji për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të pjesëmarrësve të saj, thotë Huffington Post, duke përmendur përmendur faktin se rreth 100 mijë shqiptarë u ekzekutuan, burgosën apo internuan nëpër gjatë periudhës së komunizimit. (T.Ch)