Lajme Shqip Sunday, 13 October 2013 20:55

Ish presidenti dhe ish kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka bërë një kthesë në politikën e tij. Ai që deri para nisjes së fushatës parazgjedhore kritikonte liderin aktual të LDK-së Isa Mustafa, për dëmtim të partisë, ka vendosur ta ndihmojë duke iu bashkangjitur në fushatë.

Sejdiu ka marrë pjesë në tubimin elektoral në Kamenicë, ku edhe një mandat po e kërkon kryetari Shaip Surdulli.

Kryetari Mustafa nuk ka hezituar ta potencojë pjesëmarrjen e Sejdiut në këtë tubim, duke thënë se bashkë me të do ta qojnë LDK-në përpara.

“Me ne këtu është edhe presidenti Sejdiu, i cili ka punuar shumë për LDK-në dhe bashkërisht po punojmë me gjithë udhëheqjen e LDK-së, që të çojmë LDK-në përpara, që të arrijmë objektivat tona, që i kemi paraparë në katër vitet e ardhshme dhe më tutje”, ka thënë Mustafa.

“Jam i bindur se ky rrugëtim këtu në Kamenicë dhe rrugëtimi i LDK-së në gjithë Kosovë, nuk është rrugëtim që do të përfundojë në këto katër vite, është një rrugëtim afatgjatë, ashtu siç ka përcaktuar Presidenti Ibrahim Rugova. Më 3 nëntor ne do ta shënojmë një rezultat i cili do ta tregojë fuqinë e LDK-së në Kamenicë dhe në gjithë Kosovën”, deklaroi Mustafa. Ky kthim i Sejdiut vlerësohet si një lehtësim për LDK-në, pasi deri dje, thuhej se ish kryetari i LDK-së, bashkë me mbështetësit e tij, po punon për ndërtimin e një opozite brenda partisë, e cila do ta dëmtonte LDK-në në zgjedhjet lokale, duke i hapur rrugë më pas Sejdiut për t’u rikthyer në krye të LDK-së.