Lajme Shqip Saturday, 04 February 2012 13:05

Prishtinë-Korporata Energjitike e Kosovës, KEK, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të gjendjes së vështirësuar në Kosovë pas reshjeve të fundit të borës dhe temperaturave të ulëta, disa gradë nën zero.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i kësaj Korporate, Arben Gjuka, në një konferencë për media, gjatë së premtes. Sipas tij, kushtet ekstreme atmosferike kanë vështirësuar prodhimin e energjisë elektrike në blloqe, ndërsa kërkesa është në maksimumin e saj.

“Rënia e temperaturave ka shkaktuar vështirësi veprimi, kemi defekte të mëdha, dëmtim të pajisjeve. Por më të rëndat janë në pajisjet gjeneruese. Prandaj do ketë reduktime për të gjithë,

me përjashtim të institucioneve të rëndësisë së vecantë”, ka deklaruar Gjukaj.

Për këtë arsye, zyrtarët e KEK-ut deklarojnë se do të ketë reduktime të dhunshme, ndërsa, prioritet për furnizim me energji gjatë kësaj kohe do të kenë institucionet e rëndësisë së veçantë, siç janë spitalet, ngrohtoret në qendra të ndryshme të Kosovës dhe ujësjellësi.

Kjo gjendje e jashtëzakonshme, sipas drejtorit të KEK-ut, do të vazhdojë deri në përmirësimin e motit në Kosovë, ndërsa po sipas tij importi i energjisë momentalisht është i pamjaftueshëm për të përballur situatën.

Në anën tjetër, edhe qytetarët shprehen se në mungesë të energjisë elektrike, për shkak të reduktimeve të mëdha, po detyrohen që të përdorin sobat për ngrohje. “Tani që temperaturat janë nën zero po. Aktualisht ne po ngrohemi me dru, se me atë kemi mundësi”, thotë një banor i Prishtinës.

Ky mot i ftohtë në Kosovë, sipas zyrtarëve të KEK-ut, nuk mbahet në mend gjatë 3 dekadave të fundit, ndërsa u kërkojnë konsumatorëve që të minimizojnë përdorimin e energjisë nga ora 8 deri në 11, si dhe nga ora 18 deri në ora 22, si dhe të shfrytëzohen pajisjet me dru ose me gaz për zierje të ushqimit.

Reshjet e pazakonta të borës nuk do të ndalen në Kosovë së paku edhe për 7 ditët e ardhshme. Bazuar në matjet e Institutit Meteorologjik të Kosovës temperatura më të ulta do të shënojnë -11 deri në -6 gradë celsius. (TCH)