Lajme Shqip Wednesday, 09 September 2015 15:14

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni tha në emisionin Info Box të televizonit Dukagjini se në rast se në protestat e ardhshme do të ketë dhunë, atëherë ligji shumë qartë e përshkruan se si duhet të reagojnë organet e rendit kur dëmtohet rendi dhe prona. Ai tha se asnjë individ nuk mund ta sfidojë dhe kërcënojë shtetin.

Ai këto deklarata i bëri në përgjigje të asaj se si do të reagojë policia nëse në protesta do të ketë dhunë.

Ministri tha se thirrja për dhunë është e patolerueshme dhe shprehu besimin se qytetarët nuk do ta pranojnë thirrjen për dhunë, transmeton Telegrafi.

“Në rast se thirrjes për proteste i bashkohet edhe thirrje tjetër, patjetër që institucionet i kanë parasysh këto informata dhe konform tyre i bëjmë vlerësimet dhe reagimet”, tha ai, duke shtuar se nuk beson se do të shpërthejë dhuna për motive politike.

 

Por, sipas tij, nuk mund të flasë në emër të Policisë së Kosovës, pasi sipas tij, Policia është profesionale dhe vepron në përputhje me përgjegjësitë që ka.

Ai tha se e drejta për protestë është e drejtë e garantuar, por siç tha ministri Hyseni është po ashtu e drejtë, detyrim që institucionet e vendit ta mbrojnë pronën publike dhe private.

Se a ka sinjale për protesta të dhunshme, ministri Hyseni tha se në shumë raste, për shumë çështje kanë detaje por që nuk mund të bëhen publike.

“Shteti nuk guxon të dështojë. Nëse dështon shteti, dështon çdo qytetar, çdo formacion politik. Nuk mund ta sfidojë dhe kërcënojë shtetin asnjë individ. Ne jemi të obliguar të sigurojmë ambient për protestë. Por njësoj është detyrim që ta mbrojmë pronën, qoftë publike dhe private”, tha Hyseni.

Por, se a ka sinjale për ndërhyrje në protesta nga shërbimet e huaja ministri Hyseni u përgjigj “Nuk ka indikacione të prekshme dhe ndërhyrje nga jashtë por s’mund ta përjashtojmë si mundësi. Në rast se krijoni ambient të pëlleshëm për veprime nga jashtë mund të ndikojnë, por kemi obligim si shoqëri mos ta krijojmë një hapësirë të tillë. Nuk dua ta vazhdoj këtë diskutim sepse mund ta na fus në teorinë e konspiracionit. Këshilla ime politika është që të jem sa më pragmatik, sa më realist dhe të veprojmë me shumë gjakftohtësi në çdo situatë…”.