Lajme Shqip Sunday, 13 November 2011 17:00

Qeveria e Kosovës duhet ta shfrytëzojë mundësinë për të kërkuar pauzë në dialogun me Serbinë dhe të rishqyrtojë qasjen e saj ndaj dialogut, thotë Skënder Hyseni, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës, aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, ai thekson se dialogu, në mënyrën si është zhvilluar, i ka dëmtuar interesat e Kosovës.

Sipas tij, Qeveria duhet të shkojë me aksione të vendosura në veri, të mos i lërë përgjysmë, si dhe të mos krijohen precedentë për kërkesa të shtuara të serbëve të veriut, që shkojnë edhe përtej Pakos së Ahtisarit. 

 

SKËNDER HYSENI
Në rend të parë, Qeveria e Kosovës do të duhej ta shfrytëzonte një mundësi të mirë që është krijuar me obstruksionet që po i bën Beogradi, që të kërkojë një pauzë dhe ta rishikojë, ta rishqyrtojë në mënyrë gjithëpërfshirëse gjithë qasjen e saj ndaj dialogut. Ta rishqyrtojë edhe një herë, me kujdes të veçantë, se cilat janë objektivat e Republikës së Kosovës në këtë dialog dhe cilët nga këta objektiva ka realizuar deri më sot, nëse ka realizuar ndonjë gjë.

Është për keqardhje që Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të insistojë që ky dialog po i sjell dobi Kosovës. Unë e mendoj të kundërtën. Ky dialog është duke e dëmtuar Kosovën në të gjitha planet, duke përfshirë edhe planin e njohjeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës. Pastaj, Kosova do të duhej ta bënte të qartë se nuk bën dialog me Beogradin, para se Beogradi t’i tërheqë të gjitha strukturat nga veriu.

Përfundimisht, edhe raporti i fundit i progresit ka konstatuar se në veri veprojnë struktura të Serbisë. Kjo është gjuha e Komisionit Evropian, gjuha e Bashkimit Evropian. Përfundimisht është kodifikuar gjuha, është zyrtarizuar dhe kjo i jep të drejtë Kosovës – fundja, e obligon Kosovën- që tash ta vërë si kusht që para se të fillojë që të rinisë çfarëdo dialogu apo të vazhdojë çfarëdo dialogu, Beogradi, përfundimisht, t’i zhbëjë strukturat e veta, sepse janë struktura të një shteti tjetër në një shtet tjetër.

SKËNDER HYSENI
Jo, unë nuk them që Kosova ta stopojë me kushte, por të bëjë një pauzë në dialog. Kosova duhet ta vazhdojë dialogun, por duhet ta vazhdojë atë mbi një platformë, mbi një kornizë të parimeve prijëse që është pozitive për Kosovën.

Unë nuk them që Kosova të pozicionohet kundër dialogut. Për më tepër, unë insistoj që dialogu të jetë instrument i zgjidhjes së të gjitha problemeve dhe asgjë tjetër. Mirëpo, jo dialog me çdo kusht dhe jo një dialog i papërgatitur, i cili është në kurriz dhe në dëm të interesave jetike të Republikës së Kosovës.

SKËNDER HYSENI
Veprimet e pasigurta në veri, aksionet gjysmake, të bëra qoftë nga Qeveria, qoftë nga pjesëmarrës tjerë në këtë situatë, krijojnë hapësirë për shtimin e kërkesave drejt Kosovës dhe kjo është përsëri në disfavor të skajshëm të Republikës së Kosovës. Është jetike që Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës, në veri të hyjnë me aksione shumë të vendosura dhe veprimet në veri nuk guxojnë të mbeten në gjysmë-rrugë. Ato duhet të shkojnë deri në fund. Duhet t’i tregohet botës që Qeveria e Republikës së Kosovës vërtet synon shtrirjen e autoritetit në të gjithë territorin e saj.

Ndërkohë, që të mos krijohet hapësirë dhe të mos krijohen precedente për kërkesa të shtuara, që shkojnë edhe përtej Pakos së Ahtisarit. Unë konsideroj që Pakoja Ahtisari ofron një gamë, një sfond të gjerë të zgjidhjeve shumë praktike dhe shumë funksionale për shumë çështje, probleme dhe shqetësime që mund të ketë komuniteti serb kudo në Kosovë, jo vetëm në veri.

Prandaj, nuk shoh asnjë arsye që të dilet përtej kësaj pakoje, sepse kjo do ta rrezikonte vërtet, do ta sfidonte keq, funksionalitetin sovran të Kosovës si shtet.

SKËNDER HYSENI
Kërkesat për një qasje më ndryshe nuk thonë asgjë. Fundja, çka kuptohet me qasje më ndryshe? Kërkesat duhet të jenë specifike dhe përgjigjet e Qeverisë së Kosovës duhet të jenë shumë të qarta, shumë eksplicite dhe jo të mjegullta. Qeveria e Kosovës kaherë është dashur të ketë një qasje më ndryshe ndaj veriut, duke i përdorur të gjithë mekanizmat shtetërorë legal, për të vendosur autoritetin edhe në atë pjesë të vendit dhe këtu nuk ka asnjë kundërshtim me qëndrimet e bashkësisë evropiane, kujtoj unë.

E vetmja e metë e madhe e të gjitha këtyre veprimeve në veri, është se nuk po shkojnë deri në fund. Po lihen për gjysmë dhe kjo pastaj po krijon një ambient krejtësisht shumë të përshtatshëm për incidente të natyrave të ndryshme, të cilat e rrezikojnë pastaj që ta diskreditojnë të drejtën legjitime të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vendosur autoritetin në të gjithë territorin e saj.

SKËNDER HYSENI
Unë, në rend të parë, nuk e pranoj presionin si instrument. Parapëlqej të them bashkëpunim, koordinim. Kosova duhet të bashkëpunojë dhe duhet të koordinohet me qendrat kryesore, në rend të parë me Uashingtonin dhe Brukselin, për veprimet që i bën në veri. Mirëpo, absolutisht, unë nuk pres që, qoftë Brukseli, qoftë Uashingtoni-edhe më hiq- do të bëjnë presione të natyrave që shkojnë në dëm të Kosovës, mbi institucionet e Republikës së Kosovës.

Në fund të fundit, u takon institucioneve të Republikës së Kosovës që t’i artikulojnë dhe t’i mbrojnë interesat jetike të shtetit të tyre, sepse ato kanë mandatin dhe janë të votuara që t’i mbrojnë interesat e shtetit të Kosovës dhe askush tjetër.

SKËNDER HYSENI
Çështja e njohjeve është problematike, për këtë unë kam tërhequr vërejtjen me kohë, se është një çështje komplekse dhe nuk do të zhvillohet si duhet dhe me shpejtësinë që ne e presim. Fatkeqësisht, institucionet e Republikës së Kosovës, që nga presidentja e vendit, që është shefe për politikë të jashtme, pastaj kryeministri, pastaj ministri i Jashtëm, disa zëvendëskryeministra, disa zëvendësministra, janë bërë shumë. Janë tepër shumë për të ekzekutuar një politikë të jashtme koherente, sistematike.

Të gjithë këta bashkë, kanë dështuar që botës t’ia shpjegojnë që dialogu që po zhvillohet me Serbinë, nuk është dialog për statusin, por është dialog për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Kjo, vetvetiu, i ka ndalur njohjet në masë të madhe, sepse një numër i madh i vendeve që nuk e njohin Kosovën e kanë përshtypjen se në Evropë paska ende një çështje të pazgjidhur dhe se kjo çështje po zgjidhet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq, në rrafshin tjetër, duke pasur kaq shumë ekzekutues të politikës së jashtme, Ministrisë së Punëve të Jashtme, që është mekanizmi kryesor dhe i vetëm veprues në politikën e jashtme, i është ngushtuar hapësira e veprimit në mënyrë të tmerrshme, si dhe vetë ministrit të Punëve të Jashtme. Për këtë, unë nuk gjej fajtor tjetër, përveç vetë ministrit të Punëve të Jashtme, që lejon të ngushtohet hapësira e veprimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme.