Lajme Shqip Monday, 24 September 2012 13:45

PRISHTINË – Hyrjet ilegale të zyrtarëve serbë në veri të Kosovës po ndikojnë në tensionimin e situatës, u vlerësua sot në takimin e Komitetit të Sigurisë në Mitrovicë. 

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim i komunës së Mitrovicës, Behxhet Bala, kërkoi nga strukturat e sigurisë që të marrin masa dhe të mos lejojnë këto hyrje ilegale. “Rrugët ilegale në veri duhet të mbyllen meqë janë shndërruar në rrugë prej nga importohet krimi në Kosovë”, theksoi ai.

Zyrtari i komunës së Mitrovicës kërkoi që të merren masa dhe të nxirren para drejtësisë edhe autorët që janë duke shantazhuar dhe sulmuar punëtorët serbë të Zyrës Administrative në Veri.

Sipas tij, strukturat paralele janë të frikësuara për shkak se përditë e më tepër qytetarët serbë po bëhen pjesë e jetës institucionale në Kosovë.

Ndërsa si tregues pozitiv përsa i përket situatës së sigurisë, ai theksoi zvogëlimin e përkrahjes së popullatës serbe në veri për grupet ekstremiste dhe strukturat paralele serbe. 

Ai vlerësoi pozitivisht edhe ecurinë e procesit të rindërtimit në veri. “Prej fillimit të rindërtimit të shtëpive në veri në kuadër të aksionit humanitar ‘Ndihmo edhe ti’, janë rindërtuar 17 shtëpi në lagje të ndryshme dhe nuk ka pasur asnjë incident”, tha Bala. (LajmeShqip.com)