Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 08:15

Elbasan – Kandidati për kryetar bashkie në Elbasan, Durim Hushi i zgjedhur nga koalicioni “Aleanca për qytetarin” shprehet optimist për fitore në zgjedhjet vendore të 8 majit, pasi gjykon se qytetarët do të kenë më shumë shërbime nga investimet e reja, por dhe sepse premton të zhvillojë një fushatë të  karakterit administrativ për problematikat që ata kanë dhe që nuk mendojnë se për zgjedhjet vendore duhet një fushatë politike.

Në një interviste për ATSH-në, ai shpjegon arsyet dhe optimizmin se përse elbasanasit do t’a votojnë në zgjedhjet e 8 Majit.

Durim Hushi i zgjedhur nga LSI për të kandiduar si kryetar bashkie përballë kreut aktual të Partisë Socialste, Qazim Sejdini, flet për koalicionin PD -LSI, impaktet që do të kenë qytetarët pas zgjedhjeve dhe shpjegon një sërë investimesh, që pritet të kryhen në qytet në ditët në vijim, mes tyre korpusi universitar dhe rruga me tunel Elbasan – Tiranë.

“Një nga elementet më të qënësishme, si faktor që ka të bëjë me votën dhe fitoren time, lidhet me qytetarët, të cilët pavarësisht bindjeve të tyre politike, çmojnë faktin se qeveria e vlerëson Elbasanin duke kontribuar në mënyrë jashtëzakonisht të prekshme me investime shumë të rëndësishme”, arsyeton Hushi.

Ai mendon se “rruga Elbasan – Tiranë, që ka qenë një sllogan i vjetër, tashmë bëhet realitet dhe i bën qytetarët që të kuptojnë se është një impakt jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimet ekonomike në Elbasan”.

Hushi rendit një sërë investimesh që po kryhen në këtë moment në Elbasan, sikurse janë rruga, shpallja e Parkut Industrial, inagurimi i Nënstacionit 400 kilovot, që shënon vetëm preludin i asaj që pritet të ndodhë dhe në mënyrë të veçantë, Kampusi Universitar në zonën e Krastës së Madhe, fondi për të cilin pritet të lëvrohet së shpejti.

“Mendoj se këto janë impakte shumë të rëndësishme që do të ndikojnë në jetën e qytetarëve në Elbasan dhe me siguri, që për to do të kemi vota shtesë”, shprehet Hushi.

Duke u ndalur tek siguria që ka kandidati për kryetar bashkie dhe tek fitorja në 8 Maj, ai deklaron se ” ka shumë arsye që mendoj se do të jem fitues në këtë garë elektorale. Qytetarët e Elbasanit më njohin prej vitesh dhe nuk ka lidhje vetëm me aktivitetin tim politik, por edhe me aktivitetin tim drejtues”.

“Kam punuar në administratë shtetërore, por dhe si Prefekt i Qarkut, kam eksperiencë për zbatimin e ligjeve si  pjesë e Parlamentit, ku jam marrë me ekonominë përsa i përket infrastrukturës gjatë asaj kohe. Mendoj që aktiviteti, arsimi, eksperienca ime në politikë, janë elementët, që qytetarët elbasanas do të dijnë t’i vlerësojnë”, shprehet kandidati Hushi.

Duke e cilësuar koalicionin “Aleanca për qytetarin” si më të madhin të krijuar ndonjëherë, Hushi mendon se  “mbështetja e koalicionit është shumë e madhe. Është një koalicion, që numerikisht vë në dispozicion të kandidatit shumë më tepër qytetarë e votues, nga ç’mund të ketë koalicioni i kundërshtarit tim politik”.

Si një deputet për disa kandidatura rresht për Elbasanin, Durim Hushi deklaron se një mbështetje të madhe në këtë fushatë elektorale do t’a marrë dhe nga zonat informale, ku ka qenë deputet dhe ka ndihmuar qytetarët në investime të ndryshme në infrastrukturë, arsim, etj.

“Në mënyrë të veçantë do të kem një mbështetje të madhe nga zonat informale, pavarësisht nga përkatësitë politike. Një pjesë e madhe e qytetarëve në zonat informale do të votojnë për mua, pasi me ta kam 10 vjet bashkëpunim dhe më njohin shumë mirë, qoftë si drejtues, por edhe si bashkëpunëtor i tyre”, shprehet ai.

Mendon se për të do të votojnë të gjithë njerëzit, që mendojnë si ai.

“Në këtë rast flas për qytetarët elbasanas për shërbimet që ne do të vejmë në dispozicion të tyre. Por dhe për të gjithë ata që mendojnë se, kjo fushatë është e  karakterit administrativ dhe për problematikat që ata kanë dhe që nuk mendojnë se duhet të jetë një fushatë politike. Mendoj se qytetarët do të dinë kë të zgjedhin. Mendoj se për mua do të votojnë qytetarët, që e duan veten e tyre dhe këtë e kam provuar në zgjedhjet parlamentare”, thotë kandidati Hushi.

Ai e konsideron bashkimin PD – LSI, si një privilegj dhe një favor në shërbim të qytetarëve.

“LSI dhe PD është një bashkim i domosdoshëm për qytetarin. Bashkimi i të majtës me të djathtën është një privilegj, një favor që do të krijohet gjatë kësaj fushate. Mendoj se ky koalicion shkon tek qytetari, që mirëkupton dhe kërkon qetësinë shpirtërore, që i jep mundësinë gjithë qytetarëve, që të merren më shumë me problemtikat e familjes dhe të ditës, se sa me politikën. Pjesëmarrja e të djathtës në bashkëpunim me të majtën, i shërben qytetarëve të Elbasanit”, përfundon Hushi.