Lajme Shqip Saturday, 09 July 2011 13:20

Tiranë – Kjo javë ka shënuar një sërë ngjarjesh të rëndësishme në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, ku më kryesorja cilësohet marrja e Presidencës së radhës së BE-së nga Polonia.

Ambasadorja e Polonisë në Shqipëri, Irena Tatarzinska, ka konfirmuar në takimet e saj me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, Kryeministrin, Sali Berisha, si dhe me Zv/Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Edmon Haxhinasto se, “Polonia do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë të palëkundur Shqipërinë në përpjekjet e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke uruar që vendi të arrijë ta fitojë sa më shpejt statusin e vendit kandidat”.

 

Një tjetër dritë jeshile për marrjen sa më shpejt të statusit të vendit kandidat në BE nga Shqipëria e ka dhënë edhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili gjatë analizës së arritjeve në gjashtë mujorin e Presidencës hungareze të BE-së, ka theksuar se u ka dorëzuar liderëve të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian, një memorandum në lidhje me integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në veçanti për Shqipërinë, Orban ka theksuar se “Shqipërisë duhet t`i jepet statusi i vendit kandidat për në Bashkimin Europian deri në fund të vitit”, duke shtuar se, “ngërçi politik dhe debatet politike në Shqipëri nuk e kanë rrezikuar funksionimin e demokracisë në vend, prandaj asaj duhet t’i jepet mundësia që brenda këtij viti të marrë statusin e vendin kandidat për në BE”.

 

Ndërsa një ngjarje tjetër që pritet të ndihmojë integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE është edhe vendimi i të premtes i Kolegjit Zgedhor, i cili hodhi poshtë kërkesën e Partisë Sociliste për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës.

Pas këtij vendimi ka ardhur reagimi i zëdhënëses së Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropan dhe Zv.Presidente e Komisionit Evropian, Baroneshës Catherine Ashton, Maja Koçijançiç.

Kocijançiç ka deklaruar se Bashkimi Evropian është njohur tashmë me vendimin e Kolegjit dhe pret arsyetimin. “I kemi ndjekur zgjedhjet lokale të 8 majit në Shqipëri me vëmendje dhe shqetësim. Jemi njoftuar me vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe po presim për arsyetimin e këtij vendimi, pasi deri tani jemi njoftuar vetëm me vendimin si të tillë dhe vetëm atëherë do dalim me një qëndrim. Presim maturi nga politika shqiptare për të njohur këtë vendim të gjykatës”, u shpreh Maja Kocijançiç.

 

Për këtë vendim ka reaguar edhe kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadori Ettore Sequi, i cili u shpreh se pas këtij vendimi partitë politike duhet të vendosin interesin kombëtar mbi interesat e ngushta partiake dhe integrimi i Shqipërisë duhet të jetë një objektiv kombëtar.  Ai ka shtuar se, “procesi i integrimit të Shqipërisë në BE duhet të konsiderohet si një objektiv kombëtar”.

Ndërsa Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, u shpreh se, “pas këtij vendimi pres të ketë një zhvillim paqësor në Tiranë dhe në të gjithë vendin si edhe të respektohet ligji”.

Kreu i OSBE-së theksoi se “ky vendim është i rëndësishëm përsa i përket vendosjes së një tjetër qartësie për administrimin e zgjedhjeve dhe për të ardhmen e Tiranës”.

“Gjithë vendi ka nevojë për një administrim dhe vendimmarrje sa më të mirë kur vjen puna për integrimin në BE”, nënvizoi Wollfarth, duke shtuar se shteti i së drejtës dhe respektimi i ligjit është shumë i rëndësishëm dhe shpresa ime është që të ketë një administrim sa më të mirë të vendit.