Lajme Shqip Saturday, 16 July 2011 12:56

Prishtinë – Një delegacion i gazetarëve dhe përfaqësuesve të tjerë të shoqërisë civile nga Egjipti, po qëndrojnë për vizitë treditore në Kosovë, me ftesë të ministrisë kosovare të Punëve të Jashtme.
     Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në një takim i ka informuar ata për reformat e brendshme dhe rëndësinë e fuqizimit të pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
     Ai ka thënë se marrëdhëniet mes popullit të Kosovës dhe atij të Egjiptit kanë qenë tradicionalisht të mira, “prandaj njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Egjiptit do të ishte një përmbyllje e ciklit të miqësisë historike mes dy popujve”.
     Nga ana e tij, kryesuesi i delegacionit të shoqërisë civile dhe medieve egjiptiane, ambasadori Mohamed Fathy Rifaah El Tahataëy, ka vlerësuar lart marrëdhëniet historike mes dy popujve dhe ka siguruar se Egjipti shumë shpejt do të marrë vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës. “Njohja e Kosovës nga Egjiptit do të vijë në një moment të rëndësishëm për Republikën e Kosovës që do ta arsyetojë tërë vonesën e deritashme”, ka paralajmëruar ai.
     Sot, Instituti KIPRED organizon një tryezë të rrumbullakët debati me aktivistët dhe gazetarët egjiptianë.