Lajme Shqip Thursday, 29 March 2012 13:00

Romë- Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, u takua në Romë me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Italisë, Giulio Terzi.

MPJ kosovare njoftoi se gjatë takimit, ministri Hoxhaj ka marrë përkrahje të fuqishme të shtetit dhe diplomacisë italiane për perspektivën evropiane të Kosovës dhe proceset tjera në drejtim të forcimit të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Sa i përket proceseve integruese të Kosovës, ministri Terzi ka ofruar ndihmën konkrete të shtetit italian në këtë proces, përfshirë edhe ndikimin te pesë vendet e BE-së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që të mos pengojnë në asnjë formë rrugën e Kosovës drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Hoxhaj e ka njoftuar ministrin e Jashtëm të Italisë për hapat e ndërmarrë nga Kosova në drejtim të përmbushjes së kritereve për avancimin e shpejtë në proceset integruese evropiane, duke vlerësuar rëndësinë e përkrahjes italiane në këtë proces.

Ministri Hoxhaj tha se pas lançimit të studimit të fizibilitetit, Kosova ka nevojë që sa më parë të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, dhe proceset e tjera kontraktuale me BE-në. (LajmeShqip.com)