Lajme Shqip Saturday, 30 July 2011 14:21

Prishtinë – Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, gjatë një takimi, në Nju Jork, me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka theksuar se të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit e mbështesin stabilitetin dhe paqen në Kosovë.
Sipas njoftimit të sapodhënë nga MPJ kosovare, ministri Hoxhaj ka informuar Sekretarin e Përgjithshëm për asimetrinë dhe pabarazinë në marrëdhëniet e lira tregtare në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe për gjendjen në veri të Kosovës, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për paqe dhe stabilitet.
Nga ana tjetër, Sekretari i OKB-së, Ban Ki Moon, shprehu domosdoshmërinë për siguri në Kosovë dhe përshëndeti rolin shumë pozitiv të KFOR-it në përmbushjen e këtij synimi.
“Ftoj të gjitha palët që të kontribuojnë për qetësimin e situatës. Megjithëse mund të ketë ndarje brenda të Këshillit të Sigurimit për çështje të caktuar lidhur me Kosovën, të gjithë anëtarët e mbështesin stabilitetin dhe paqen në Kosovë”, ka thënë Ban Ki Moon.
Ai ka theksuar se është shumë me rëndësi që t’i dëgjoi qëndrimet e të dy palëve dhe ka mirëpritur takimin me ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
Duke folur për gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës, ministri Hoxhaj ka akuzuar Serbinë për krijimin e tensioneve ndëretnike në veri të Kosovës në 12 vjetet e fundit.
“Djegia e pikave kufitare, dhuna dhe tensionet e krijuara, janë veprime mbrapa të cilave në mënyrë të drejtpërdrejt qëndron Qeveria e Serbisë, e cila këto 12 vjetet e fundit përmes strukturave paralele ka rrezikuar paqen dhe stabilitetin brenda Kosovës. Dhe ka punuar në mënyrë intensive që ta minojë shtetësinë e Kosovës”, ka shtuar Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj ka thënë në takim me Sekretarin e OBK-së, Ban Ki Moon se ngjarjet e fundit në veri të Kosovës nuk duhet të shihen të izoluara, por janë pjesë e një axhende politike të Serbisë për ndarje të një pjesë të territorit të Kosovës dhe bashkimin e saj me Serbinë.
Ai më tej ka theksuar se në dialogun në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, i cili lehtësohet nga BE, ndër çështjet urgjente që janë diskutuar në mënyrë permanente ka qenë zgjidhja e problemit të marrëdhënieve tregtare në përputhje me standardet evropiane dhe marrëveshjen CEFTA si dhe çështja e pranimit të vulave të doganës së Kosovë nga autoritetet e Serbisë.
“Meqë Serbia në këtë takim nuk mori pjesë dhe nuk ishte e gatshme që të pranojë propozimin e BE-së, Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur që të respektohen masat e reciprocitetit për mallrat që hynë nga Serbia dhe Bosnja në Kosovë. Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë veprime që në gjithë territorin e Republikës së Kosovës të respektohet një vendim i tillë, duke përfshirë edhe pikat kufitare 1 dhe 31”, ka thënë Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës respekton vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ministri Hoxhaj po ashtu ka takuar kryesuesin e Këshillit të Sigurimit, udhëheqësin e misionit gjerman, Peter Witting.
Në këtë takim ministri Hoxhaj ka informuar ambasadorin Witting për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të shtrirë autoritetin në gjithë territorin e Republikës së Kosovës si dhe për paqe dhe stabilitet në rajon.