Lajme Shqip Tuesday, 29 March 2011 15:51

Zagreb – Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, garantoi sot ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë takimit në Zagreb, për mbështetjen e vendit të tij për Kosovën dhe integritetin e saj territorial, duke ofruar përkrahje për integrimet evropiane të Kosovës.
“Ne kemi qenë ndër shtetet e parë në rajon që kemi njohur pavarësinë e Kosovës. Ne edhe sot mbështesim integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe do të bëjmë çmos që të forcojmë pozitën e saj ndërkombëtare”, tha Presidenti Josipovic, bën të ditur MPJ kosovare.
Ministri Hoxhaj e njohu Presidentin kroat me zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, e veçanërisht rreth proceseve integruese evropiane.
Shefi i diplomacisë kosovare e falënderoi Presidentin Josipoviq për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit kroat për zhvillimet pozitive në Kosovë.
“Kroacia në 20 vitet e fundit ka ndihmuar për lirinë e Kosovës, ka ndihmuar edhe në periudhën e para dhe pas pavarësisë, ka ndihmuar Kosovën në të gjitha fazat. Tani është koha që të kemi marrëdhënie edhe më të mira me shtetin dhe popullin kroat”, tha ministri Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj në ditën e dytë të vizitës në Kroaci u takua edhe me komunitetin shqiptar që jeton në Zagreb. Ai u premtoi bashkatdhetarëve me banim në këtë vend se shumë shpejt do të kenë shërbime më të mira konsullore dhe se kërkesat e tyre do të gjejnë vend në axhendën e përbashkët që do të hartohet mes Republikës së Kosovës dhe Kroacisë.