Lajme Shqip Friday, 10 May 2013 09:58

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, pret që në takimin e radhës mes Kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq të arrihet pajtimi për planin zbatues sa i përket marrëveshjen së arritur më 19 prill në Bruksel.

Në të kundërtën, kryediplomati Hoxhaj paralajmëron se Kosova do të shtrij autoritetin ligjor dhe kushtetuese në veri të vendit.

“Nëse Serbia e bllokon hartimin dhe zbatimi e një plani të tillë, ne në çdo formë, në çdo mënyrë do ta shtrijmë sovranitetin tonë në veri. Prandaj, është më se e rëndësishme që Serbia ta kuptoj që pajtimi rreth planit zbatues dhe mbi të gjitha zbatimi i tij është në interes të saj dhe të rajonit”, ka thënë Hoxhaj për Express. 

Ministri i Jashtëm i Kosovës thotë se pa zbatimin e marrëveshjes nga ana e Serbisë, rruga e Beogradit drejt BE-së do të mbetet e bllokuar.