Lajme Shqip Friday, 04 November 2011 22:29

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka mbajtur një fjalim gjatë punimeve të takimit të Grupit të Vishegradit (V4), me ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili filloi në Pragë të Republikës Çeke.    

Para përfaqësuesve të vendeve të V4 dhe ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Ministri Hoxhaj tha se Kosova gjatë këtyre tre vjetëve pas shpalljes së pavarësisë ka konsoliduar institucionet dhe ka vendosur themelet e një qeverisjeje të mirë, stabilitetin dhe sigurinë brenda për brenda Kosovës.    

“Kosova është njëra ndër modelet më të mira në botë, në integrimin e minoriteteve në pushtetin qendror dhe lokal”, tha Hoxhaj para të pranishmëve.     

Ministri, po ashtu, deklaroi se aspiratë e dytë është aspirata e një Kosove evropiane. Duke iu referuar edhe Raportit të Progresit për vitin 2011, Hoxhaj tha se Kosova ka në bërë një hap të pakthyeshëm drejt rrugës së saj evropiane dhe se viti 2012 do të jetë vit i Kosovës evropiane.    

“Për qytetarët e Republikës së Kosovës, rekomandimi në Raportin e Progresit për të filluar dialogun për liberalizimin e vizave ka qenë një lajm shumë i pritur dhe pozitiv.

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian është një kornizë e mirë për ne, për fuqizimin e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe për të rritur mirëqenien e qytetarëve”, tha Hoxhaj, duke ftuar përfaqësuesit e vendeve anëtare të Grupit të Vishegradit që të ndihmojnë Republikën e Kosovë në procesin e liberalizimit të vizave dhe vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me institucionet e BE-së.    

“Të gjitha shtetet anëtare të BE-së, ato që e kanë njohur dhe që nuk e njohur pavarësinë e Kosovës, duhet të mbështesin të ardhmen tonë evropiane. Kosova nuk guxon të mbetet vendi i vetëm i harruar dhe i izoluar në rajon”, tha Hoxhaj.