Lajme Shqip Monday, 24 June 2013 12:45

Prishtinë- (E plotësuar) Kreu i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Albin Kurti, e ka vlerësuar si të papërgjegjshëm mosparaqitjen e ministrit të jashtëm, Enver Hoxhaj në mbledhjen e këtij komisioni, ku ai ishte ftuar të raportonte.

 “Si është e mundur që Hoxhaj të premten pasdite nuk ka qenë i njoftuar për udhëtimin që do ta ketë të hënën. Udhëtimet zyrtare janë të planifikuara dhe nuk dalin papritur. Edhe nëse ndodh, raportimi në Komision parimisht ka prioritet”, ka theksuar Kurti.

Sipas Kurtit, duket që ministri Hoxhaj nuk dëshiron të vijë për të raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme, sidomos jo para ratifikimit të marrëveshjes Thaçi-Daçiq dhe sidomos jo për çështjen e dorëheqjes së Lulzim Peci dhe qëndrimet e mëpastajme të MPJ-së për këtë çështje.

 

Hoxhaj i shmanget takimit në Komision

 

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj nuk do të marrë pjesë sot në takimin e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit, ku është thirrur nga kryetari i këtij komisioni, Albin Kurti për të raportuar, lidhur me Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, planit të zbatimit për këtë marrëveshje, dhe për dorëheqjen e Shefit të Misionit të posaçëm të Kosovës në Beograd, Lulëzim Pecit.

“Ministri nuk do të merr pjesë sepse do të udhëtoj për Bruksel”, ka thënë për “Epokën e re” një burim brenda kabinetit të ministrit Hoxhaj.

Takim është paraparë që të mbahet në ora 12:00.

Ditë më parë Ministria e jashtme kishte lëshuar një reagim të ashpër rreth dorëheqjes së Zyrtarit Ndërlidhës të Kosovës në Serbi, Lulzim Peci.

Reagimi i MPJ’së më shumë është një letër akuzuese për diplomatin kosovar.

MPJ, me gjuhë pak më të matur, thotë në fakt të njëjtat gjëra që tha një zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës për Express – atë se Peci ka takuar zyrtarë të shërbimit inteligjent të Serbisë,

Krejt këto akuza MPJ ia adresim Pecit, pasi ky i fundit ofroi dorëheqjen e tij me arsyetimin se ka mospajtime me Kryeministrin Hashim Thaçi rreth politikës së jashtme të Kosovës në raport me Serbinë.

“Më lejoni të ju njoftoj se po jap dorëheqje të parevokueshme nga Shërbimi Diplomatik i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Pecit drejtuar Presidentes Jahjaga.

Ai ka treguar se Kryeministri Thaçi i ka telefonuar pas një deklarate të dhënë për mediat në Beograd se pa njohjen e Kosovës nga Serbia nuk do të ketë normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore.

“Arsye e dorëheqjes time është mospajtimi dhe kritika që më është bërë nga z. Hashim Thaçi, Kryeministër i Republikës së Kosovës në lidhje me deklaratën time në media se normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të bëhet atëherë kur kjo e fundit do të njeh pavarësinë e vendit tonë”, thuhet në arsyetimin e dorëheqjes së Pecit.

Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi ka thënë se ende mendon se pa njohjen e Kosovës nga Serbia nuk do të ketë normalizim të raporteve me palën serbe.

“Kam qenë i bindur se politika shtetërore e vendit tone në lidhje me normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Beogradin ka qenë pikërisht njohja nga Republika e Serbisë, por si po duket kjo politikë nuk është e tillë. Prandaj, në rrethana të tilla nuk pranoj të vazhdoj punën time brenda Shërbimit Diplomatik të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në njoftim.

Ai ka falënderuar Presidenten Jahjaga dhe ish-Presidentin Fatmir Sejdiu për mundësinë që ia kanë dhënë për të shërbyer në misionet diplomatike e Kosovës.

“Më lejoni të ju njoftoj se po jap dorëheqje të parevokueshme nga Shërbimi Diplomatik i Republikës së Kosovës” ka thënë Peci në letrën drejtuar Presidentes Jahjaga.