Lajme Shqip Friday, 19 August 2011 19:12

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në një  intervistë për gazetën turke “Zaman”, iu bëri thirrje vendeve anëtare të Organizatës për Kooperim Islamik, që të njohin pavarësinë e Kosovës.

Sipas MPJ-së kosovare, ministri Hoxhaj tha se 80 shtete e kanë njohur Kosovën që nga shkurti 2008, ndërsa vuri theksin mbi faktin se disa vende islamike ende nuk e kanë njohur pavarësinë.

Ministri Hoxhaj, i cili vijon vizitat e tij në kuadër të lobingut për njohjen e republikës së Kosovës, tha se po bëhen përpjekje të konsiderueshme për anëtarësimin në BE dhe OKB.

Hoxhaj vlerësoi se investimet më të mëdha në Kosovë bëhen nga turqit.

Duke vënë theksin mbi faktin se mbi 20 nga 57 vendet anëtare të Organizatës për Kooperim Islamik nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ai u shpreh se “ne ndajmë të njëjtin besim fetar dhe presim nga këto vende njohjen e shtetit te Kosovës”.

Ndërkaq, duke shtuar se një nga përpjekjet më të mëdha është anëtarësimi në BE dhe OKB, ministri Hoxhaj vuri në dukje se po bëhen përpjekje për krijimin e marrëdhënieve të forta me këto organizata.

Duke u ndalur në pretendimet se Rusia dhe Kina (të cilat ende nuk kanë njohur pavarësinë), po mbështesin Serbinë, Hoxhaj deklaroi se këto vende e mirëkuptojnë situatën e Kosovës së pavarur.

“Ne po përpiqemi të shpjegojmë se çdo të thotë liri e Kosovës, duke vizituar vendet e ndryshme të botes”, thekson  ministri Hoxhaj në intervistën dhënë për gazetën “Zaman”, gjatë qëndrimit në Stamboll, ku ka marrë pjesë në takimin e Organizatës për Kooperim Islamik për Somalinë.