Lajme Shqip Friday, 20 April 2012 18:01

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka vlerësuar shumë të rëndësishme për avancimin e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet e BE-së dhe të rajonit, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, punimet e Konferencës Ndërkombëtare “Kosova Thërret”, e cila u zhvillua sot në Prishtinë.

Njohja e Kosovës sot ka një gjeografi globale nga shtetet më të emancipuara të botës dhe procesi i njohjeve është i pakthyeshëm ashtu siç mbetet edhe pavarësia e Kosovës e pakthyeshme, tha ministri . Ai shtoi se shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën nuk janë bllok për pavarësinë e Kosovës. 

“Këto pesë vende nuk janë bllok. Në asnjë formë nuk duhet të kuptohen si bllok. Nuk janë as bllok kundër pavarësisë së Kosovës dhe nëse e them në një formë më të sinsifikuar, arsyet janë të politikës së brendshme, arsyet nuk janë të politikës së jashtme.

Ndërkaq ambasadori i Britanisë në Kosovë, Jan Cliff, tha se njohja nga këto shtete nuk pritet të ndodh së shpejti, por ka shtuar se ajo çka duhet të bëjë Kosova është që të krijojë marrëdhënie individualisht me këto shtete, veç e veç. Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar tha se BE i ka ofruar Kosovës studimi i fizibilitetit që është një hap tjetër i madh i aspiratave të Kosovës për t’u bërë pjesë e BE-së.

Konferenca është organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur dhe Këshilli Britanik në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Ambasadën e Britanisë së Madhe në Prishtinë. (LajmeShqip.com)