Lajme Shqip Sunday, 05 February 2012 20:00

Prishtinë-Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, do të marrë pjesë në mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku do të prezantohet dhe diskutohet raporti për Kosovën i Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, më 8 shkurt.

Ministri Hoxhaj para anëtareve të KS-së, pritet të shpalosë progresin që po shënohet në Kosovë, reformat që po realizohen nga institucionet kosovare, si dhe aspekte të tjera të konsolidimit të shtetit të Kosovës.

Ministri Hoxhaj në KS do të kërkojë mbështetje për shpërbërjen dhe largimin e strukturave paralele serbe nga Veriu i Kosovës, si parakusht për paqe dhe stabilitet në gjithë rajonin.

Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, udhëtoi sot për vizitë zyrtare në SHBA. Burime zyrtare të MPJ-së kosovare, bënë të ditur se gjatë qëndrimit në New York, ai do të takohet me diplomatë amerikanë, përfaqësues të Senatit të SHBA-së dhe përfaqësues të tjerë të lartë shtetëror të administratës amerikane.

Ministri Hoxhaj do të ketë takime dhe me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në kuadër të lobimit permanent për të rritur numrin e njohjeve për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. (LajmeShqip.com)