Lajme Shqip Thursday, 06 September 2012 16:54

Prishtinë – “Mali s’e kishte njohur asnjëherë pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Sipas ministrit Hoxhaj, nga Mali kishte sinjale pozitive për njohje, por në fakt nuk kishte njohje.

Hoxhaj ka thënë se më i rëndësishëm për të është kredibiliteti i Kosovës, sesa meritat për ndonjë njohje, raporton KTV-ja.

Pas takimit që ka pasur me ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës, Erkki Tuomioja, shefi i diplomacisë kosovare ka potencuar se procesi i njohjeve nuk do të ndalet dhe se procesi i përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë do të kontribuojë në këtë fushë.

Hoxhaj ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka një strategji se në cilat fusha do të fokusohet që Kosova të jetë më sovrane dhe më e fuqishme në sy të tjerëve.

Ai ka falënderuar Finlandën për kontributin që ka dhënë në mbështetje të pavarësisë dhe ka theksuar se shpikja e tyre që është mbikëqyrja e pavarësisë, ka rezultuar e suksesshme.

Nga ana tjetër, ministri finlandez Erkki Tuomioja ka uruar Kosovën me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, ndërsa ka premtuar edhe mbështetje të mëtejme nga Finlanda për Kosovën, duke thënë se Finlanda e do Kosovën në BE.

Tuomioja u takua edhe me kryeministrin e vendit Hashim Thaçi. (LajmeShqip.com)