Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 17:30

Bruksel – Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj i bëri thirrje presidentit të Serbisë, Boris Tadiq që hapat pozitiv, të cilat i ka bërë në drejtim të Bosnjës e Hercegovinës dhe Kroacisë, t’i bëjë edhe në drejtim të Kosovës.

Hoxhaj tha se mediat, opinioni, akademikët dhe liderët fetar duhet ta mbështesin procesin e tillë.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se kemi humbur 20 vite dhe nuk duhet të humbasin edhe 20 të tjera, që të vijmë deri te qëllimi evropian. Një pjesë e qëllimit të tillë është pajtimi mes të gjithë popujve të ish Jugosllavisë”, tha Hoxhaj.

Ai, duke u përqëndruar në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit, vlerësoi se dialogu paraqet një hap të mirë dhe se është krijuar hov pozitiv në të dy mjediset.

“Dialogu përpiqet ta përmirësojë jetesën e njerëzve, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën evropiane të të dy vendeve dhe në të njëjtën kohë është një instrument i mirë në ndërtimin e bindjes mes dy elitave politike dhe dy popujve për tejkalim të konflikteve dhe kthim drejt ardhmërisë”, theksoi Hoxhaj.

Shefi i diplomacisë kosovare i bëri thirrje të gjithë rajonit që ta ndjekë shembullin  e Kroacisë, e cila për gjashtë vite i plotësoi të gjitha kriteret e BE-së dhe i ofroi popullit një perspektivë të mirë.

“Njerëzit në Serbi, në Kosovë, në BeH, në Maqedoni dhe në Shqipëri kanë të drejtë që një gjë të tillë ta presin nga politikanët e tyre. Unë u bëj thirrje që ta ndërrojnë drejtimin dhe retorikën dhe më tepër ta promovojnë vizionin evropian. Sot nuk është koha për tregime të reja, për idetë e mëdha kombëtare. Një ide e madhe, të cilën të gjithë popujt e Ballkanit duhet ta kenë, është Evropa”, theksoi Hoxhaj.