Lajme Shqip Monday, 27 August 2012 15:00

Prishtinë – Gjatë pjesëmarrjes në panelin e Forumit Evropian “Alpbach 2012”, së bashku me eurodeputeten Doris Pack dhe politikanin e njohur austriak, Erhard Busek, ministri Hoxhaj ka mbajtur një ligjëratë rreth temës së integrimeve evropiane, ku ka prezantuar pikëpamjet e tij rreth perspektivave evropiane dhe proceseve që lidhen me rrugën e integrimit të Kosovës dhe rajonit.

“Ne jemi në proces të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë e cila do të ndryshojë natyrën e shtetit tonë dhe shoqërisë sonë. Po ashtu, ne po punojmë shumë që të konsolidojmë shtetësinë tonë të brendshme dhe për herë të parë pas shumë vjetësh kemi filluar procesin e liberalizimit të vizave dhe ne shpresojmë që në muajt që do të vijnë, në vitin e ardhshëm, qytetarët tanë do të kenë mundësi që të lëvizin pa viza në Evropë, veçanërisht studentët tanë”, theksoi Hoxhaj. 

Duke iu referuar rinisë kosovare dhe vështirësive që hasin sidomos studentët kosovarë për të vizituar dhe studiuar në Evropë, ministri i Jashtëm i Kosovës apeloi te Brukseli që të ketë më shumë vëmendje për Kosovën, e veçanërisht për rininë e saj. “Kosova është shteti më i ri, me popullatën më të re në Evropë. Ne po ndërtojmë një elitë politike nga themelet, po ndërtojmë institucione nga themelet, po e ndërtojmë ekonominë, sistemin arsimor, kulturën nga themelet dhe jemi në proces të transformimit të shoqërisë”, tha Hoxhaj, duke shtuar se shtetndërtimi në Kosovë është aspiratë e popullit të Kosovës dhe storie e suksesit e Bashkimit Evropian.

Lidhur me perspektivën integruese të rajonit në BE, Hoxhaj theksoi se për vendet e Ballkanit është lajm shumë i mirë që me gjithë krizën ekonomike dhe financiare, procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian do të vazhdojë.  Duke iu referuar rrugës integruese të Kroacisë ai ka theksuar se ky është një shembull shumë i mirë se si duhet të reformohen dhe modernizohen shtetet në rajon, si parakusht për t’u integruar në Bashkimin Evropian. “Sa i përket zgjerimit është shumë e rëndësishme që politikanët në Evropë po luftojnë kundër perceptimit të ‘lodhjes nga zgjerimi’, dhe po ashtu është shumë e rëndësishme që politikanët në rajonin e Ballkanit po luftojnë kundër perceptimit se Bashkimi Evropian është një minierë ari”, theksoi Hoxhaj.

Gjatë punimeve të Forumit Evropian “Alpbach 2012”, ministri Hoxhaj ka zhvilluar takime dhe biseda të shkurtra edhe me shumë personalitete dhe liderë të shteteve evropiane dhe mekanizmave të BE-së, si me Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer, Presidentin e Kroacisë, Ivo Josipovic, Kryeministrin e Lichtensteinit, eurodeputetet Doris Pack dhe Ulricke Lunacek dhe shumë personalitete të tjera. (LajmeShqip.com)