Lajme Shqip Sunday, 30 December 2012 08:31

Prishtinë – Pas vitit 2008 kur edhe u shpall Pavarësia e Kosovës, viti 2012 ka qenë viti më i suksesshëm dhe më i rëndësishmi për Kosovës, pasi që në këtë vit është bërë më shumë se kurrë për evropianizimin e Kosovës.

Kështu ka vlerësuar Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, i cili në konferencën e fundit për vitin 2012 ka premtuar se pesë vjetori i pavarësisë, Kosovën do ta gjejë me numër tre shifrorë të njohjeve.

Kreu i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, ka përmendur sukseset që, sipas tij, kanë shënuar këtë vit, duke thënë se gjatë këtij viti ka vizituar mbi 44 shtete dhe është takuar me mbi 130 përfaqësues të këtyre shteteve, duke bërë përpjekjet maksimale për ta integruar Kosovën në sistemin ndërkombëtar përmes rritjes së njohjeve.

Si rezultat i këtij angazhimi, Hoxhaj ka theksuar se gjatë vitit 2012 Kosovën e kanë njohur 13 shtete, nga pjesë të ndryshme të botës.

“Gjatë vitit 2012, Republika e Kosovës ka marrë 13 njohje zyrtarisht dhe formalisht. Njohja e Republikës së Kosovës është dëshmuar si një proces i pandashme i pakthyeshëm dhe çdo muaj ne kemi marrë një njohje të re nga pjesë të ndryshme të botës. Njohja e Republikës së Kosovës ka një gjeografi globale dhe kjo gjeografi globale është fakti më i mirë që Republika e Kosovës është një realitet gjeopolitik në Ballkan dhe Evropë”, ka thënë ai.

Ministri Enver Hoxhaj ka thënë se viti 2012, pas vitit 2008 kur edhe u shpallë pavarësia e Kosovës, është më i suksesshmi për Republikën e Kosovës.

“Viti 2012 pas vitit 2008 kur ne e shpallem Kosovën shtet të pavarur dhe sovran ka qenë ndër vitet më të rëndësishme por edhe të suksesshme që ka pasur Kosova. Gjatë këtij viti ne, si Ministri e Punëve të Jashtme, kemi pasur një agjendë të matshme precize kohore. Një agjendë të saktë javore mujore dhe vjetore dhe në bazë të kësaj agjende ne kemi bërë përpjeke maksimale që në baza javore, mujore dhe gjatë tërë vitit ta prezantojmë interesin shtetërore të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka shpjeguar se Kosova gjatë këtij viti është anëtarësuar në 10 organizata rajonale dhe ka bërë 47 marrëveshje diplomatike, ndërsa si sukses tjetër ka përmendur edhe hartimin e diplomacisë digjitale

Kosova, para se të festojë pesë vjetorin e pavarësisë, do t’i ketë 100 njohje, pasi që kryediplomati kosovar, ka thënë se me fillimin e janarit do të fillojë procesin e lobimit në mbarë globin.

“Ne gjatë vitit 2013 që nga java e parë e janarit do të lëvizim në pjesë të ndryshme të botës dhe do të bëjmë përpjekje maksimale që para 17 shkurtit të vitit 2013 t’i kemi 100 njohje. Unë kam informata tash se 4 vende kanë lëviz me procedurë që ta njohin Republikën e Kosovës. Unë mund të ju ofrojë juve sms-të e mi që para 10 javësh disa shtete të huaja kanë vendosur ta njohin pavarësinë e Kosovës. Por unë kam marrëveshje me ministrat e këtyre shteteve që mos ta bëjnë publike njohjen”, ka thënë ai.

Njohjet nga vendet e Amerikës së Mesme, Hoxhaj ka thënë se janë meritë e punës së tij. Ndërkaq njohja e Pakistanit është më e rëndësishmja sipas ministrit Hoxhaj.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka lavdëruar së tepërmi zëvendësin e tij Petrit Selimin, për të cilin ka thënë që është njëri prej zëvendësministrave më të mirë që ka pasur Kosova ndonjëherë.

Ndërsa sa i përket rivalitetit me zëvendëskryeministrin Behxhet Pacollin, Hoxhaj ka thënë se ka rivalitet diplomatik vetëm me Lavrovin dhe Merkiqin, duke përjashtuar nga kjo garë Pacollin

Ministri Hoxhaj ka përmendur edhe sfidat që e presin ministrinë që ai drejton, duke veçuar integrimin e Kosovës në strukturat Euro-Atlantike. (K.P/LajmeShqip.com)