Lajme Shqip Monday, 03 June 2013 22:35

Prishtinë – Hoxhë Irfan Salihu, i cili njihet për ciklin e ligjeratave të tij, të postuara në rrjetin e internetit, YouTube, në një prej ligjeratave të tij të postuar së fundmi, flet mbi moralin shqiptar, gjegjësisht për femrat shqiptare.

Ai në këtë ligjeratë, flet për virgjinitetin e femrave, duke porositur të rinjtë që femrat të cilat janë jo të virgjëra, të mos i martojnë, duke i quajtur femrat me emra si “kurva, meçka”.

Hoxhë Irfan Salihu, gjatë ligjëratës së tij e cila është mbajtur në xhaminë Suzi Zerrini në Prizren, ligjeratën e tij e nis me një rrëfim duke iu referuar një “bisede që ka dëgjuar nga i vëllai, se një prind i ka blerë vajzës së tij një paketë kondoma”.

Hoxha, i cili njëherit është edhe prijës (imam) në xhami, thotë se rinia shqiptare “është duke bërë punë të flliqta”, mirëpo në ligjeratën e tij në fjalë, më shumë flet për gjininë femërore.

Ai vazhdimisht porositë të rinjtë, përkatësisht gjininë mashkullore që të jenë të “pamëshirshëm” përballë femrave që siç shprehet hoxha, “e kanë humbur moralin e tyre”.

Hoxha vazhdimisht flet për moralin, duke iu referuar virgjinitetit të femrës. Në këtë mënyrë sipas tij, ato femra të cilat nuk janë të virgjëra, nuk kanë moral.

“Këto rrospija dhe kurva…çdo femër që ban akt intim pa kurorë, sipas dispozitave islame është kurvë”, thotë ai në njërën prej fjalive të tij përgjatë ligjërimit.

Hoxha u drejtohet të rinjëve (përkatësisht gjinisë mashkullore, pasiqë siç dihet në vendet tona xhamitë vizitohen më shumë nga gjinia mashkullore për ritualet fetare) duke u thënë se ata “duhet ti dënojnë femrat e pamoralshme duke i lënë në sokaqe”.

“Këto leni, dënoni në këtë formë si meqkat në sokak. Këto një ditë munden me qenë eduktatore të fëmijëve tuaj. Këto e kanë tradhëtu Zotin e tyre, prindin e ju tradhëtojnë edhe juve”, thotë ai.

Madje për hoxhën, virgjiniteti konsiderohet një lloj “kodi” siç e quan ai, që duhet të jetë vendimtar për një lidhje apo martesë. Hoxha përdorë shprehje si “të dekodume, të çelme”, kur flet për virgjinitetin.

Madje në një rast, ai akuzon mediat, apo siç i klasifikon ai “mediat e çoroditura”.

“Mediat e çoroditme dëshirojnë të na paraqesin se femra e cila nuk e ka ruajtë ndershmërinë e saj, dëshirojnë të na e paraqesin se …jo nuk matet morali i femrës me atë se a ka ecë me këtë apo atë frajer”, shprehet ai, duke vazhduar sërish me porosinë ndaj gjinisë mashkullore “Lejeni bërllogun, le të mbesin jashtë”.

Në vazhdën e ligjëratës, hoxha thotë se ata që “marrin një femër të pandershme janë si gomat rezervë të makinave”.

Madje hoxha i klasifikon meshkujt e tillë edhe si “jo burra”.

“Nëse e bënë këtë punë”, thotë ai duke iu referuar martesës së mundshme mes mashkullit dhe femrës (së pandershme sipas tij), “vlerë të mashkullit nuk ke, ti nuk je burrë, ti je burrec, ti je njeri i troshave”, thotë ai.