Lajme Shqip Friday, 14 August 2015 11:33

Ka filluar protesta në Mitrovicën e Veriut, ku janë mbledhur dhjetëra qytetarë të cilët po kërkojnë nga organet e drejtësisë dhe gjykatësit e EULEX-it, t’i mundësojnë Oliver Ivanoviqit të mbrohet në liri.

Përkundër paralajmërimit të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriqit, se do të jetë pjesëmarrës në këtë protestë, Policia e Kosovës nuk e ka regjistruar prezencën e tij në Mitrovicë.

Këtë e ka thënë për lajmi.net edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Veri, Besim Hoti, i cili ka bërë me dije se Gjuriq nuk është pjesë e protestës.

Përkundër disa raportimeve në mediat vendore se Gjuriq është futur në Kosovë në përcjellje të pjesëtarëve të Xhandarmërisë së Serbisë, ky njoftim, sipas Hotit del të jetë vetëm spekulim.

“Zyrtarisht Marko Gjuriq nuk është në Mitrovicë. Ka pasur informacione se ai ka qenë në Gorazhdec në Mitrovicë dhe në disa vende tjera, por sipas informacioneve tona, këto nuk qëndrojnë”, ka thënë Hoti.