Lajme Shqip Saturday, 17 November 2012 11:26

TIRANË–(PLOTESUAR) Pas 51 vitesh eshtrat e mbretit Zogu I do të prehen në Tiranë në një mauzole të ndërtuar së fundmi për anëtarët e familjes mbretërore. Eshtrat e mbretit të parë të shqiptarëve erdhën dje në Atdhe, ndërsa në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” arkivoli i mbështjellë me flamurin kombëtar u prit me të gjitha nderimet shtetërore.

Ai mbajt nga ushtarë të Gardës së Republikës dhe më pas u vendos në shtratin e një topi, për tu përcjellë drejt banesës së familjes mbretërore. 

Munguan në homazhe figurat e së majtës. Berisha apel: Vepra e tij sot duhet të na bashkonte. Pas inaugurimit të Mauzoleumit të Familjes Mbretërore aty do të prehen eshtrat e Mbretit Zog.

ZOGU I PREHET NË TIRANË, NË MAUZOLEUMIN E FAMILJES MBRETËRORE
Ora 13:30- Pas të gjitha riteve dhe nderimeve, pasi u dëgjuan edhe të shtënat e topit eshtrat e mbretit të parë tyë shqiptarëve Ahmet Zogu u rivarrosën në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore. Familjarët dhe personalitet e larta të vendit po kryejnë homazhet e fundit pranë banesës së tij të fundit.

NISHANI: HISTORIA NUK SHPËRFILLET
Ora 13:15- Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të mbretit Zog I, Presidenti Bujar Nishani deklaroi se sot shqiptarët vendosën të mos e shpërfillin historinë dhe të vlerësojnë rilin dhe veprën e mbretit të parë dhe të vetëm të shqiptarëve, sic e quajti ai Ahmet Zogun. 

“Shqipëria në kujtesën e saj shënon edhe një figurë të rëndësishme atë të Ahmet Zogut. Me historinë mund të sillesh në shumë mënyra, mund ta harrosh, por kujton që harresa kish qënë një aventurë, mund edhe të provosh ta manipulosh, shtrembërosh, që edhe kjo është gjithmonë afatshkurtër në përpjekjen e atij që e bën. Sepse mund të mos e përfillësh ti historinë, por nuk të lë historia ty, të ndëshkon për gabimet dhe të shpërblem për meritat. Sot nderojmë të parin dhe të vetmin mbret të shqiptarëve Ahmet Zogun. Mbreti ynë shtetin e bëri vetë”, tha në fjalën e tij Nishani. 

Sipas Presidentit, “Ahmet Zogu ka lënë pas një diskutim të gjërë, por që padyshim mbetet figura më e rëndësishme e shqiptarëve, ai njeriu që për pak vjet nisi ta bënte Shqipërinë një shtet me të gjitha atributet e një shoqërie që përfaqësonte qytetërimin. Shtroi premistat për një shtet modern, i dha shtetit Kodin Penal dhe Civil”, nënvizoi Nishani.

Në fund të fjalës së tij kreu i shtetit shqiptar përmendoi këto fjalë: “Ia kishim borxh, u prehtë në paqe!”

JAHJAGA: AMANETI SOT U VU NË VEND
Ora 13:00- Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga deklaroi se kontributi i Mbretit Zog I është tejet i vecantë për shqiptarët e Shqipërinë, prandaj sic theksoi ajo sot është vendosur në vend një amanet.

“Prehja në vendin tonë e të gjithë atyre burrave dhe grave që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë është një amanet i mbetur peng dhe ne duhet ta kryejmë me krenari. Kthimi i eshtrave të mbretit Zog I simbolizon drejtësinë hyjnore, paqen politike dhe bashkimin kombëtar”, tha Jahjaga.

Sipas saj “Ahmet Zogu ka një rol të rëndësishëm në krijimin e shtetit shqiptar, caktimin e kufinjëve të shtetit, në vendosjen e marrëdhënieve bilaterale në nivel shtetesh si dhe në anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve”, shtoi ajo.

Sipas kryetares së shtetit të Kosovës ishte obligim i politikës së sotme që të thente në Atdhe eshtrat e mbretit që vetë shqiptarët e zgjodhën.

MAUZOLEUMI
Ora 12:55- Pas ceremonisë në pallatin e Brigadave eshtrat e Mbretit Zog I do të vendosen në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore, i cili u inaugurua sot në një ceremoni të vecantë ku morën pjesë personalitetiet më të larta të vendit, Presidenti Bujar Nishani, Kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Topalli, ministra të kabinetit, etj. Në ceremoni edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

BERISHA: KONTRIBUTI I TIJ SOT DUHET TË NA BASHKOJË
Ora 12:00- Kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha ka kryer homazhe rreth orës 11:45. Pasi është përshëndetur me Princin Leka II, kreu i qeverisë ka lënë një mesazh në librin e ngushëllimeve.
Pasi nderoi figurën e Mbretit Zog I, në ceremoninë e homazheve që u mbajtën tek Pallati i Brigadave, kryeministri i vendit Sali Berisha, u shpreh se sot të gjithë shqiptarët përulen përpara veprës dhe kontributit të Ahmet Zogut.

“Sot mbarë kombi shqiptar, shqiptarët në të gjitha trojet etnike e kudo që ndodhen, nderojnë e përulen para veprës dhe kontribuit të njërit prej burrave më të shquar të historisë së tyre kombëtare, Mbretit Zog I, që rikthehet në Atdheun e tij pas mërgimit prej së gjalli dhe së vdekuri në dhera të tjera. Shqiptarët përulen me nderim të madh para burrit që jetësoi Pavarësinë e Shqipërisë”, tha Berisha.

Sipas kryeministrit është një rastësi e bukur që mbreti Zog I rikthehet në atdhe në ditnë e clirimit të Tiranës.
“Ahmet Zogu nderohet sot për ndërtimin e shtetit shqiptar, kontributin historik që dha. Ahmet Zogu do të nderohet gjithnjë nga shqiptarët për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, për vokacionin e tij perëndimor. Në këtë kontekst nëse do bënim një vlerësim në raport me rrethanat ku jetoi, përpjekjet e tij për zhvillimin e shqiptarëve janë mbinjerëzore”, vijoi kryeministri.
Për kreun e qeverisë, kontributi që mbreti Zog I dha për shqiptarët e shtetin e tyre duhet t’I bashkojë sot ata, në vend që t’i përcajë.
“Kontributi dhe vepra madhore e Ahmet Zogut duhet t’i bashkojë shqiptarët e të gjitha bindjeve, pavarësisht nga inoktrinimet, të vërtetat historike është më mirë ti mësosh vonë se kurrë. Kush ka frikë nga eshtrat e monarkut i them që ke mbetur nën lëkurën e Enverit”, përfundoi ai.

HOMAZHET
Ndërsa sot në Pallatin e Brigadave, prej orës 10.00-12.00 po zhvillohen homazhet në nderim të Mbretit Zog. Princi Leka II dhe anëtarë të tjerë të familjes mbretërore presin vizitorët që po nderojnë figurën e Mbretit Zog I, ndërsa jashtë Pallatit të Brigadave ka radhë të gjata njerëzish, që presin të përkulen para eshtrave të Mbretit Zog I.

Në ceremoninë e homazheve morën pjesë edhe personalitete të politikës. Deputetja Rajmonda Bulku ishte ndër të parët që kreu homazhe. Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe përfaqësues të tjerë të kësaj partie mbëritën rreth orës 10:40 në Pallatin e Brigadave. Ata vendosën kurora me lule në nderim të figurës së mbretit Zog. Në ceremoninë e homazheve morën pjesë edhe përfaqësues nga Lugina e Preshevës.

MAUZOLEUMI
Më pas në orën 12:15 do të bëhet inaugurimi i Mauzoleumit të Familjes Mbretërore, dhe në orën 12:30 do të zhvillohet ceremonia e vendosjes së eshtrave të Mbretit Zog në Mauzoleumin e kësaj familjeje, e shoqëruar me të shtëna topi.

Ahmet Zogu është zhvarrosur pardje nga varrezat e Thiais në Paris, aty ku prehej që pas vdekjes në prill të vitit 1961 në Francë. Një ekip në nivel të lartë zyrtarësh shqiptarë dhe francezë ka ndjekur nga afër ceremoninë, që i ka hapur udhë kthimit të eshtrave në Shqipëri, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Mbreti Ahmet Zog u lind më 8 tetor 1898 në Burgajet të Matit. Ai ndërroi jetë në spitalin Foch të Parisit më 8 Prill 1961.(B.W/LajmeShqip.com)