Lajme Shqip Thursday, 10 September 2015 12:36

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Helmut Hoffman ka përsëritur edhe njëherë, tashmë faktin e ditur prej kohësh, se të gjitha kërkesat për azil të paraqitura në Gjermani nga shtetasit shqiptarë do të refuzohen.

Në një intervistë për “Top Show”, Hoffman ka thënë se shqiptarët aplikojnë për azil duke nisur nga arsyeje ekonomike, gjë që sipas tij, është gabim. Sipas tij, azil përfitojnë vetëm shtetasit të cilëve iu rrezikohet jeta në vendet e tyre të origjinës, duke marrë si shembull Sirinë.

I pyetur në lidhje me mundësinë e punësimit të shtetasve shqiptarë në Gjermani, Hoffman ka deklaruar se ka një tjetër procedurë që duhet të ndjekin të gjithë të interesuarit për një gjë të tillë.

Intervista e ambasadorit Helmut Hoffman për “Top Show”:

Top Show: Mbi ç’kritere kthehen azilantët shqiptarë në Shqipëri?

Hoffman: Ne jemi duke përpunuar të gjitha kërkesat për azil të të gjithë shtetasve që kanë ardhur nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kjo po bëhet në mënyrë prioritare. Të gjitha bazat ligjore, dispozitat ligjore janë mjaft të qene në Gjermani rreth këtij fakti. Azil politik përfitojnë vetëm ata që përndiqen politikisht në vendet e tyre dhe përvoja na ka treguar se 99.5 % të rasteve të azilkërkuesve shqiptarë nuk mund të përfitojnë statusin e azilantit politik.

Top Show: Cila është procedura që ndiqet për kthimin e azilantëve shqiptarë?

Hoffman: Në momentin që janë përfunduar procedurat për përpunimin e kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë ndiqen kryesisht dy rrugë, e para: është kthimi me vullnet të lirë i këtyre shtetasve; dhe e dyta: është kthimi me forcë në drejtim të Shqipërisë. Sigurisht, rruga e parë do të ishte për ne ajo më e preferuara kur ne mbështesim azilantët me të gjitha mundësitë që kemi me “charter”. Në rastin e dytë shtetasit që rikthehen shoqërohen me punonjës të Policisë Federale. Në të dyja rastet ne kemi koordinim mjaft të mirë me strukturat e qeverisë shqiptare. Numri i rikthimeve nga java në javë vjen në rritje, megjithatë momentin e saktë se kur do të përfundojë kthimi i të gjithë azilantëve ne nuk e kemi.

Top Show: A ka një plan Gjermania se kur do të diskutohet që Shqipëria të futet në listën e vendeve të sigurta?

Hoffman: Jo më larg se e diela e shkuar, qeveria federale ka marrë një vendim parimor të vetin, sipas së cilës mjaft shpejt Shqipëria do të kategorizohet si vend i sigurtë. Mendoj se brenda pak javësh kur të gjitha procedurat të kenë kaluar përmes instancave që parashikon ligji kjo procedurë do të mbyllet, dhe mendoj se do të ndodhë shumë shpejtë.

Top Show: A ka mundësi punësimi në Gjermani?

Hoffman: Të gjithë duhet ta kuptojnë dhe dëgjojnë me vëmendje këtë që po them. Pothuajse të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë bërë kërkesë për azil në Gjermani shtyhen nga motive ekonomike. Ata shkojnë atje për një vend pune. Por, këtë nuk mund ta arrijnë kurrsesi duke kërkuar azil në Gjermani në sensin juridik të fjalës. Kush dëshiron të punojë në Gjermani nuk duhet të bëjë kërkesë për azil politik pasi të gjithë shqiptarët, e theksoj këtë të gjithë shqiptarët, marrin një vendim refuzues. Dhe pikërisht qeveria federale verën e shkuar ka marrë një vendim të rëndësishëm për të ofruar mundësi ligjore të mëtejshme për punësimin e shtetasve që vijnë nga Ballkani Perëndimor në Gjermani dhe këtë e bën sepse kërkon të reduktojë në njëfarë mënyre barrën që ka sistemi i azilit në Gjermani, duke bërë që prej këtij sistemi të përfitojnë ata shtetas që janë subjekt i përndjekjes së tyre politike, si shtetasit që vijnë nga Siria. Kjo do të thotë që në qoftë se dëshirojnë që të punësohen në Gjermani, kjo nuk duhet të bëhet në asnjë mënyrë nëpërmjet rrugës së azilkërkimit, por duke shkuar në Gjermani e duke kërkuar atje një vend pune. Punëmarrësi, me një kontratë pune duhet të kthehet në Shqipëri dhe të vijë pranë Ambasadës gjermane dhe të aplikojë për vizë pune. Kjo do të ishte rruga e duhur për mundësi punësimi në Gjermani.