Lajme Shqip Saturday, 01 December 2012 17:25

Tiranë – Zbulohen 70 raste të reja me virusin HIV. Në total, në të gjithë vendin, numri i të prekurve arrin në 550 veta. Të dhënat u publikuan dje, në prag të Ditës ndërkombëtare kundër AIDS.

Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, ngriti dje alarmin edhe për shtimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, sidomos te të rinjtë.

Klamidia, një prej më të rëndëve, ka prevalencë deri në 5.6%. Kjo është evidentuar pas survejancës në popullatë. “Prania e IST (infeksioneve seksualisht te transmetueshme) dhe sidomos klamidias lehtëson transmetimin e mëtejshëm seksual të HIV, ndonëse Shqipëria mbetet një vend me prevalencë të ulët”, tha Tavo.

Sipas Tavos, një indikator mjaft i rëndësishëm për vlerësimin e peshës specifike qe zë HIV/AIDS, mbetet numri i testimeve vullnetare për HIV. Në krahasim me vitin e kaluar, është regjistruar një shtim i lehtë i personave që paraqiten vetë në qendrat e këshillimit për të kryer analizat.

“Rreth 2137 testime vullnetare janë kryer në qendrat e këshillimit dhe testimit vullnetar në Tiranë dhe në të gjitha prefekturat e vendit, shifër kjo që ka pësuar një rritje te lehtë në krahasim me vitin e kaluar”, tha Tavo.

Ai nënvizoi se fuqizimi i këtyre qendrave duhet të jetë një proces në vazhdimësi dhe ato duhet të ofrojnë shërbimet e tyre në të gjitha komunitetet që i përkasin gjeografikisht.

Në spitalin “Nënë Tereza” aktualisht trajtohen me retrovirale 222 pacientë pranë QSUT. Nga sa bëri me dije ministri i Shëndetësisë, në vendin tonë, pavarësisht prevalencës akoma të ulët dhe numrit te ulët të fëmijëve HIV pozitiv, ata përbëjnë një problem shëndetësor dhe shoqëror të rëndësishëm.

Ndërkohë nga monitorimi që gazetarë të ndryshëm të shëndetësisë kanë bërë në shkolla ka rezultuar se të rinjtë pavarësisht informacionit neglizhojnë, përdorimin e metodave kontraceptive. (LajmeShqip.com)