Lajme Shqip Saturday, 02 June 2012 18:00

Himarë – Kryeministri Sali Berisha, në kuadër të një vizite që po zhvillon sot në Jug të vendit, u ndal në vendin ku ndodhi aksidenti tragjik i 14 majit, në Qafën e Vishës, në afërsi të Himarës, duke vendosur buqeta me lule në nderim të 13 viktimave.

Kryeministri pa nga afër vendin ku ndodhi ngjarja e rëndë, ndërsa u përul me respekt e nderim për viktimat në moshë të re të aksidentit fatal.

Pasditen e 14 majit, një autobus me studentë të universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, që po udhëtonin drejt Sarandës për një ekspeditë mësimore, u rrëzua në greminë, ku si pasojë humbën jetën 13 persona, kryesisht studente, ndërsa u plagosën mbi 30 të tjerë.

Kreu i Qeverisë, i shoqëruar nga drejtues lokalë të Bashkisë së Himarës, më pas u largua në drejtim të qytetit të Vlorës. (LajmeShqip.com)