Lajme Shqip Sunday, 10 April 2011 08:35

Himarë – Katër është numri i kandidatëve që do të garojnë për bashkinë e Himarës në jug të vendit, për zgjedhjet vendore të 8 majit.

Kryetari aktual i kësaj bashkie, Vasil Bollano, përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, i cili kërkon një mandat të ri, do të ketë përballë kandidatin Savo Prifti, përfaqësues i Partisë Demokratike që garon në emër të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Gjergji Goro, i cili do të përfaqësojë Partinë Socialiste dhe Dhimitër Llazari, i cili kandidon nën ngjyrat e partisë më të re të minoritetit, MEGA.

Vasil Bollano qëndron në krye të bashkisë së Himarës  prej dy mandatesh dhe kërkon të rikonfirmohet në të tretin, ndërkohë që kandidatët e tjerë janë përfshirë edhe më parë në garën zgjedhore, por pa mundur të fitojnë.

Kjo bashki, është një nga ato njësi të qeverisjes vendore, ku Partia Socialiste dhe aleatja e saj, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, përfaqësohen me kandidatë respektivë.

Në rrethin e Vlorës, Bashkia e Himarës përfaqëson njësinë e qeverisjes vendore ku për zgjedhjet e 8 majit janë rregjistruar më shumë kandidatë për postin e kryetarit, si përfaqësues të subjekteve politike. Pas saj, vjen komuna e Novoselës ku janë rregjistruar katër kandidatë, por me ndryshimin se dy prej tyre janë të pavarur dhe dy të tjerët, përfaqësues të dy koalicioneve më të mëdha zgjedhore, “Aleanca për qytetarin” dhe “Aleanca për të ardhmen”.