Lajme Shqip Thursday, 01 November 2012 11:41

TIRANE (PLOTESUAR)Tirana sot është zgjuar “e blinduar” nën masa të rrepta sigurie për shkak të vizitës së Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.Avioni i Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton u ul në aeroportin e Rinasit rreth orës 10:30, ndonëse pritej të mbërrinte më herët në orën 09:30. Sekretarja Clinton zbriti nga avioni duke e mbajtur vetë çadrën, për shkak të reshjeve të shiut që kanë përfshirë Tiranën.

Ora 12:30 Klinton në Kuvendin e Shqipërisë

Pasi ka mbaruar takimin me kreun e qeverise, Sali Berisha, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton ka mberritur ne Kuvendin e Shqiperise.

Ajo eshte pritur ne hyrje te Kuvendit, nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli, nderkohe qe ne Kuvend kishin zene vend qe me heret personalite te larte, krere te bashkive te medha, perfaqesues diplomatike ne vendin tone, te komuniteteve fetare, etj.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton ka garantuar se SHBA kane qene e do te mbeten miqte dhe partneret e medhenj te Shqiperise.“Jam e lumtur të flas para parlamentit të një vendi të lumtur e demokratik. Është nder se bashkohem me ju kur festoni jubilenë e 100 vjetorit të Pavarësisë, fitore e madhe që keni luftuar shumë. Kur po vija, pashë fotografitë e paraardhësve tuaja, kaq shumë ka ndryshuar në 100 vjet, por një gjë që do të jetë konstante është që SHBA kanë qenë miqtë dhe partnerët tuaj dhe do vazhdojnë të jenë të tillë”- tha ajo, duke folur para deputeteve ne Kuvendin e Shqiperise.

Ajo ka theksuar se lidhjet janë forcuar dhe kjo nuk është midis qeverive tona, por edhe popujve tanë.“Kanë të njëjtën aftësi për të treguar vendosmëri, ju si edhe ne keni qenë të vendosur për të qenë të lirë, për të ndërtuar demokraci të gjallë e ekonomi të lulëzuar, ju si ne keni dëshirë të madhe për t’i lënë pas konfliktet dhe për të krijuar të ardhme paqeje për të gjithë, jam e lumtur për marrëdhëniet historike, si kurse jam mirënjohëse për kontributet shqiptare në vendin tim”- tha ajo.

Sipas Klinton, shqiptarët ne Amerike janë sipërmarrës, ushtarakë, mësues dhe kanë restorantet më të mira në botë.“Kultura shqiptare është komponent i pasur i jetës amerikane, e di si senatore nga Nju Jorku për 8 vjet. President ishte nder i madh për mua që sot mora urdhrin e flamurit do e vlerësoj përjetë, simbol tjetër i miqësisë së madhe mes nesh”- tha ajo.

Pjese nga fjala e Znj.Klinton

Klinton ka garantuar mbeshtetjen e SHBA per integrimin e Shqiperise ne BE. “Sido që nuk kemi votë për këtë aplikim do tu flasim miqve tanë për mbështetjen për ju, Shqipëria e meriton vendin në familjen e kombit, kjo është mirë jo vetëm për ju, por edhe Evropen.

Muajt që vijnë janë kritikë, jo për parlamentin por edhe popullin, si mikeshe dhe admiruese e Shqipërisë ju them se do ketë aspirata qe duhet të arrini. Ju lutem punoni që zgjedhjet e ardhshme të jenë të hapura e të balancuara, kjo është për arsye që populli të ketë besim në ju si udhëheqës, i dërgon sinjal të fortë BE që politika në vend funksionon pa fraksione e vështirësi.

E di që po punoni për proces efektiv dhe ju përgëzoj për këtë, si një person që kam marrë pjesë në zgjedhje, e di sa të vështira janë zgjedhjet politike dhe di gjithashtu se vëmendja e botës përqendrohet kur ka zgjedhje. Kjo na vë përgjegjësi si udhëheqës, i bëj thirrje udhëheqësve dhe qytetarëve që të punojnë qe zgjedhjet e ardhshme t’i bëjnë të suksesshme.

Është e rëndësishme të kuptohet se konsolidimi kërkon zgjedhje, por edhe ligj, institucione të forta dhe degë juridike të paanshme, që qytetarët të na mbajnë ne në përgjegjësi, këto krijojnë rezultate konkrete për popullin duhet të ketë përgjegjësi për udheheqësit.

Ju bëj thirrje të punoni për një problem që shumë demokraci kanë dhe ky është korrupsioni, cdo vend në gjithë botën korrupsioni është kancer që konsumon shoqëritë, i tërheq burimet materiale dhe bllokon zgjidhen ekonomike. Nuk ka përgjigje të thjeshtë për këtë, bota do e kishte zgjidhur. Eliminimi i tij kërkon një bashkëpunim pavarësisht nga ndryshimet partiake, udhëheqësit duhet të punojnë së bashku.

Udhëheqësit duhet të krijojnë kulturë bashkëpunimi mbi diferencat politike, unë jam sekretare shteti për ish rivalin tim. Më pyesin si unë dhe ai punojmë së bashku kur ne luftuam kaq shumë kundër njëri tjetrit, unë bëra cdo gjë për të fituar në 2008, por ai fitoi dhe ai më kërkoi mua që të isha sekretare e shtetit, e kur më pyesin se si dy njerëz kanë luftuar e kanë shpenzuar miliona dollarë duke bërë reklama kundër njëri tjetrit, si mund të punojnë.

Përgjigja është e thjeshtë: të dy ne e duam vendin tonë.  Une e di që nuk ka asnjë shqiptar këtu që nuk e do Shqipërinë, shpresoj që edhe ju do të gjeni rrugën për një bashkëpunim të sinqertë e të vazhdueshëm, ju vazhdoni të besoni se ju mund të jeni udhëheqës më i mirë se tjetri, por interesat partiake, pas atyre kombëtare.

Zgjedhjet që vijnë janë thelbësore për konsolidimin e demokracisë suaj për brezat e ardhshëm dhe vetëm ju dhe vetëm ju mund t’i bëni e përgjigjeni pyetjeve; a do ndërtojë Shqipëria qeverisjen e mirë e do të fitojë besimin e popullit? A do i lini mënjanë diferencat politike për të mirën e vendit, a do mbështesni reformat që do krijojnë mundësi ekonomike për gjithë shqiptarët, a do punoni për hyrë në BE si një rrugë për paqe afatgjatë, a do jeni model për rajonin e vendin?

Toleranca fetare që ju keni është dhuratë e vecantë që nuk gjendet në vende të tjera të botës ju duhet ta përdorni si argument tjetër në favor të karakterit unik të këtij vendi. Këto janë pyetje të vështira, unë skam përgjigje, unë vij me një ndjenjë të thellë besimi tek ju.

Më lejoni të them që te punoni për të marrë vendime të vështira për progresin tuaj për të hyrë aty ku u takon në BE, SHBA do ju mbështesin, ne jemi partneri juaj, jemi së bashku, e dimë cfarë bote duam për fëmijët tanë, një botë tolerance e përfshirëse, me të drejta njerëzore që mbështesin popullin dhe është detyrimi ynë që t’i japim këto rezultate për popujt tanë që na kanë dhënë besimin.

Besoj se ju do i kapërceni vështirësitë e do i merrni mundësitë që shekulli ju ofron e do t’i them cdokujt që nëse doni të shikoni demokraci të vërtetë në veprim shkoni në Shqipëri”.

Topalli, Klintonit: Keni ndryshuar historine

Moment i shënuar, por vizita e Klinton është ngjarje historike, e bukur dhe shumë emocionuese. Sot në këtë vit e nderuar zonjë, në këtë jubile vizita juaj është lumturi dhe privilegj për shqiptarët. Ky është përvjetori më i vecantë dhe ai festohet me mikun që të gjendet në ditë të mira e vështira, me miqtë e mëdhenj dhe ju jeni njëra prej tyre. Vendi juaj është miku i madh i shqiptarëve, ju jeni mike e çmuar dhe e vecantë e jona. Sot të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë janë të lirë, e festojnë 100 vjetorin që nuk do kishte qenë e mundur nëse presidenti Klinton në 1999 të mos kishte vendosur të clironte gjysmën e kombit tonë. Kombi ka disa data të rëndësishme, historia e krijimit të shtetit shqiptar është e lidhur me SHBA. Historia e rrëzimit është e lidhur me SHBA, e clirimit të Kosovës, anëtarësimi në NATO, sot festojmë jubileun si qytetarë të lirë në një Shqipëri demokratike, anëtare të NATO-s. Kjo nuk do kishte qenë e mundur nëse Bush s’do kishte mbështetur vendin tonë, e më pas Obama në 2009. Për mua personalisht është arsye më shumë që në këtë ditë kam nderin që si grua parlamentare në krye të Kuvendit tu uroj mirëseardhjen me gjithë zemër një gruaje të madhe të admiruar në botë, modelin, lideres që është kthyer në fuqi emancipimi. Për mua ju keni ndryshuar historinë.

Klinton takon kreun e opozitës Edi Rama

Pas kësaj, zonja Clinton pati ndalesën e fundit në hotel ‘Sheraton’, ne nje takim me kryetarin e opozitës Edi Rama, e më pas me stafin e ambasadës amerikane. Clinton me pas u nis drejt  Zagrebit, ne etapen tjeter te turit te saj.

 

Ora 11:50 Klinton takohet me Berishën në Kryeministri

“SHBA-te janë krenare që janë partnerët dhe miqtë e vendit tuaj në rrugën e konsolidimit të demokracisë dhe hapjes së ekonomisë. Ne ju urojmë për 100 vitet e para dhe konfirmojmë edhe bashkëpunimin e ngushtë për 100 vitet e tjera”, tha Clinton, në fillim të takimit me Berishën.

Nga ana e tij, Kryeministri vlerësoi vizitën e sekretares amerikane të Shtetit në këtë vit historik për Shqipërinë, në 100-vjetorin e lindjes së shtetit.

Ora 111:45- Hillary Clinton dekororohet nga presidenti Nishani me “Urdhërin e Flamurit”

 

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton eshte pritur ne nje takim nga presidenti i vendit, Bujar Nishani. Pritja per nder te saj u mbajt ne Pallatin e Brigadave. Nishani ka dekoruar sekretaren amerikane te Shtetit me Urdhrin e Flamurit, titulli më i lartë shqiptar.

Vetëm pesë personalitete janë nderuar me Urdhrin e Flamurit deri sot.

Dy janë shqiptarë dhe dy janë ish Presidentët Amerikanë Bill Klinton dhe George W. Bush.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton ndodhet në Kryeministri ku pritet takimi me shefin e Qeverise shqiptare Sali Berisha. Flitet qe perpara takimit do te kete nje deklarate e shkurter per mediat.

Ora 11:25- Protesta e ish te perndjekurve

Ish-të përndjekurit politikë, ne tentative per te protestuar para Kuvendit, gjate kohes qe sekretarja Klinton do te futej brenda jane ndaluar nga policia. Lajmin e ka bere me dije kreu i shoqatës së ish-të burgosurve politikë, Skënder Tufa. “Janë arrestuar 14 anëtarë të tubimit që po organizonim. Dëshironim ti bënim pritje Hillary Clinton dhe kishim vetëm 2 parrulla me vete”, tha Tufa.

 

Ora 10: 30 Zonja Clinton u prit ne aeroport nga Ministri i Jashtem Edmond Panariti.

Ne pritje te saj kane qene personalitete te larta te vendit, mes te cileve edhe ambasadori ameirkan Aleksander Arvizu, me te cilin eshte takuar fillimisht e pas tij me ministrin e Jashtem, Edmond Panariti.

Ora: 10:25-ULET NË RINAS AVIONI I SEKRETARES CLINTON – Avioni i Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton u ul në aeroportin e Rinasit rreth orës 10:30, ndonëse pritej të mbërrinte më herët në orën 09:30. 

Rruga nga aeroporti drejt kryeqytetit është tërësisht e boshatisur, ndërsa policia ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e vizitës së parë të Sekretares Amerikane në vendin tonë.

HILLARY CLINTON 4 ORË NË TIRANË, “BLINDOHET” KRYEQYTETI
Ora: 07:10 – Vizita e Clinton në Tiranë vjen në kuadër të turit ballkanik, që pas Kosovës e Shqipërisë, do të mbyllet me vizitën në Kroaci. Rreth orës 09:30 minuta, Clinton do të zbresë në aeroportin e “Rinasit”, nga ku më pas do t’i drejtohet Pallatit të Brigadave, ku pritet të zhvillojë takimin e parë me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Më pas mësohet se takimi i radhës do të jetë me shefin e qeverisë, Sali Berisha në ambientet e Kryeministrisë, rreth orës 11:45. 

Prej disa ditësh administrata e Këshillit të Ministrave ka marrë të gjitha masat për ceremoninë e pritjes. Madje vëmendje jo pak e veçantë u është kushtuar edhe ambienteve të jashtme, ku janë mbjellë me qindra lule dekorative, ndërkohë që është lyer edhe fasada në një nga hyrjet e ndërtesës qeveritare. Ndërkohë gjatë ditës së sotme për shkaqe të sigurisë, nëpunësit e administratës së kryeministrisë nuk do të lejohen të shkojnë në punë pas orës 09:00. Pas takimit me Berishën, Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton do të drejtohet për në Kuvendin e Shqipërisë, ku gjithashtu do të pritet në një ceremoni nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjatë pjesëmarrjes në seancën e së enjtes, Clinton do të mbajë edhe fjalën e saj, e cila do të jetë edhe deklarata e vetme për këtë vizitë në Shqipëri. Ende i pakonfirmuar mbetet edhe vendi i takimit mes Klinton dhe shefit të opozitës, Edi Rama, që sipas disa burimeve do të zhvillohet në rezidencën amerikane në Tiranë, shkruan sot Gazeta Shqiptare.

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, do të jetë e vetmja rrugë, ku qytetarët mund të përshëndesin nga larg Sekretaren amerikane të Shtetit. Kjo vizitë është shoqëruar me masa të rrepta sigurie, ku 1500 policë të reparteve RENEA, FNSH, efektivë të 6 komisariateve dhe asaj rrugore do të jenë në gatishmëri që nga aeroporti “Nënë Tereza”, për të vazhduar më pas nga kthesa e “Rinasit” për në Tiranë, rruga e “Durrësit” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Në të gjitha këto akse do të ketë bllokim të përkohshëm të trafikut deri në orën 17:00, kur Klinton pritet të largohet nga Shqipëria. Forcat e rendit dhe agjencitë e inteligjencës janë në gatishmëri të lartë për të siguruar një vizitë të qetë të kryediplomates amerikane. Policia e Kryeqytetit ka planifikuar dhe ka ndërmarrë një sërë masash për të garantuar mbarëvajtjen e vizitës së delegacionit të sekretares Clinton. Policia bëri të ditur, se në këtë kuadër janë planifikuar dhe disa masa kufizuese në drejtim të lëvizjes dhe parkimit të automjeteve në disa akse rrugore.

Masat kufizuese në drejtim të lëvizjes dhe parkimit të automjeteve në akset rrugore:
Nga ora 22:00 e datës 31.10.2012 deri në orën 17.00’ të datës 01.11.2012 do të ndalohet parkimi dhe ndalimi i automjeteve në këto akse rrugore.

– Rinas – Qafë Kashar;
– Qafë Kashar- Rreth Rrotullimi i Doganës;
– Rreth Rrotullimi i Doganës-Unaza e Re-Pallati me Shigjeta;
– Pallati me Shigjeta-Bulevardi Barjam Curri-Ura e Lanës tek Hotel Dajti;
– Ura e Lanës tek Hotel Dajti-ETC- Rruga e Elbasanit;
– Rruga e Elbasanit-Pallati i Brigadave;
– Rruga Ismail Qemali-Bulevardi Dëshmorët e Kombit deri tek Hotel Sheraton;
– Bulevardi Dëshmorët e Kombit – Bulevardi Xhorxh Bush;
– Bulevardi Zhan Dark deri tek Pallati me Shigjeta.

2. Nga ora 10:00 të datës 01.11.2012 deri në orën 17.00’ të kësaj date do të këtë ndalim të qarkullimit të automjeteve në akset rrugore të mëposhtme:
– Rinas – Qafë Kashar;
– Qafë Kashar- Rreth Rrotullimi i Doganës;
– Rreth Rrotullimi i Doganës-Unaza e Re-Pallati me Shigjeta;
– Pallati me Shigjeta-Bulevardi Barjam Curri-Ura e Lanës tek Hotel Dajti;
– Ura e Lanës tek Hotel Dajti-ETC- Rruga e Elbasanit;
– Rruga e Elbasanit-Pallati i Brigadave;
– Rruga Ismail Qemali-Bulevardi Dëshmorët e Kombit deri tek Hotel Sheraton;
– Bulevardi Dëshmoret e Kombit – Bulevardi Xhorxh Bush;
– Bulevardi Zhan Dark deri tek Pallati me Shigjeta.

3. Nga ora 10:00 deri në orën 17.00’ të datës 01.11.2012 do të këtë kufizime të ndalimit si dhe të parkimit të automjeteve në akset rrugore:
– Bulevardi Dëshmorët e Kombit-Sheshi Skënderbej;
– Rruga e Durrësit deri tek Rreth Rrotullimi i Doganës.

“Policia e Kryeqytetit shpreh besimin në mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e këtyre kufizimeve të domosdoshme për të siguruar mbarëvajtjen e vizitës shumë të rëndësishme të Sekretares së Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë.”- theksohet në njoftimin e policisë. (LajmeShqip.com)