Lajme Shqip Tuesday, 30 August 2011 10:46

Tiranë – Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, i dërgoi një letër zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, me rastin e përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Në letrën e saj, bënë të ditur burime zyrtare të ministrisë së Jashtme, znj. Klinton u uron gjithë myslimanëve shqiptarë festën e Bajramit, që ta kalojnë në paqe dhe të gëzuar.

“Ky është një rast për të festuar, ku myslimanët bashkohen për të reflektuar vlerat e rëndësishme të familjes, bamirësisë dhe komunitetit”, thotë zonja Klinton në mesazhin e saj.

Në mesazh Klinton vlerëson punën e madhe të myslimanëve në çdo cep të globit, përfshi brezin e ri, të cilët janë të përkushtuar për të forcuar komunitetet ku ata jetojnë përmes arsimit, biznesit dhe zhvillimit.