Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 15:21

Prishtinë – Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton i ka dërguar një mesazh urimi presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, me rastin e zgjedhjes në krye të vendit.

“Si femra e parë udhëheqëse e shtetit në hapësirat e ish-Jugosllavisë, udhëheqja e Juaj pa dyshim do të inspirojë gra dhe vajza në tërë regjionin dhe do t’i tregojë tërë botës vlerat demokratike dhe tolerancën që shteti Juaj i ri i ka përqafuar”, thuhet në urim.

Pasi përkujton takimin me Jahjagën në Prishtinë vitin e kaluar, Klinton shpreh përkushtimin për bashkëpunim me presidenten e re të Kosovës.

“Me padurim pres që të punoj me Ju në përmirësimin e rolit të femrës në regjionin e Ballkanit dhe të vazhdojmë përpjekjen tonë të përbashkët për të forcuar qeverisjen e Kosovës, që ta vendosim sundimin e ligjit në tërë shtetin dhe ta zgjerojmë njohjen ndërkombëtare të Kosovës”, përfundon urimi.