Lajme Shqip Tuesday, 17 December 2013 12:51

Tiranë- Prokuroria e Tiranës nis hetimet për zhdukjen e portofolit të deputetit të ndjerë Sokol Olldashi i cili mbrëmjen e 20 nëntorit humbi jetën në një aksident të rëndë në aksin e rrugës së vjetër që lidh tunelin e Elbasanit me autostradën e re në drejtimin e Tiranë.

 
Lajmi konfirmohet për A1 Report e Shqiptarja.com nga burime brenda kësaj prokurorie.

Portofoli nuk u gjet mes provave të fiksuara në vendgjarjen, e aksidentit fatal ku humbi jetën deputeti.

Pranë vendit të njohur si Lapidari i Krrabës automjeti i tij tip benz nuk hyri në kthesë dhe u rrëzua në krahun e djathtë të rrugës. 

I vetmi send që nuk është marrë në dorëzim nga të afërmit e depuettit të ndjerë ishte portofoli. Ky i fundit nuk është fiksuar në procesvebalet e prokurorisë dhe policisë së Tiranës, pasi sipas burimeve nuk është gjetur në vendgjarje, por as brenda ambjenteve të makinës Benz-Mercedes me targë AA 003 HN.

Dyshimet flasin se portofoli mund të jetë vjedhur nga persona që kanë qënë të pranishëm në vendgjarje, duke përfshirë këtu dhe banorë të zonës.

Ndërkohë në makinën e Olldashit u gjet  telefoni, ora, dy libra të grupit “Bitëlls”, një libër ekonomik, 20 pako duhat të bluar, qindra filtra cigaresh si dhe dy Lap-Topë.