Lajme Shqip Friday, 09 November 2012 12:10

Prishtinë – Një trajnim i avancuar për hetim të trafikimit me narkotikë i organizuar nga Misioni i OSBE-së ka përfunduar më 9 nëntor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

Trajnimi, ku kanë marrë pjesë 15 hetues të policisë së Kosovës, është fokusuar në zbulimin e rrugëve të trafikimit, kontrollimin e lokaleve, identifikimin e llojeve të narkotikëve dhe intervistimin e të dyshuarve.

“Përkundër rezultateve të dukshme në luftimin e trafikimit me narkotikë siç është rritja e numrit të konfiskimeve gjatë vitit 2011 dhe 2012, Kosova ende mbetet zonë transiti”, tha Bahri Shala, shef i drejtorisë për luftimin e trafikimit me narkotikë në policinë e Kosovës.

“Shkathtësitë e reja që kanë fituar hetuesit tonë përmes trajnimit të OSBE-së mund t’ua përmirësojnë aftësitë për të ndjekur trafikantët e narkotikëve dhe për t’i parandaluar aktivitetet e tyre”.

Pjesëmarrësit janë trajnuar edhe si të përgatitin rastet për t’i dorëzuar te prokurori, duke përfshirë mbledhjen e informatave, analizën e inteligjencës dhe mbledhjen e provave.

Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar me zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni po ashtu ofron trajnime të avancuara për policinë dhe ndihmon hartimin e strategjive për sigurinë publike.(LajmeShqip.com)