Lajme Shqip Saturday, 21 September 2013 14:46

Tiranë-Pas disa vitesh përpjekje për të ndaluar prodhimin dhe shpërndarjen e bimëve narkotike në një nga zonat më problematike në Shqipëri, organi i akuzës pritet të fillojë një hetim gjithëpërfshirës për narkotrafikun e fshatit Lazarat.

Burime pranë prokurorisë thanë për “Albanian Screen” se Policia e Shtetit dhe Guardia Di Finanza kanë gati një dosje voluminoze prej më shumë se 1 mijë faqesh mbi prodhimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në këtë zonë.
Për këtë pritet të prangosen mbi 45 persona të përfshirë në një grup të strukturuar kriminal, ndërsa burime pranë prokurorisë saktësojnë se të dyshuar janë që nga kreu i kësaj komune, e deri te persona të cilët bëjnë transportin e lëndës.
Për këtë para 10 ditësh në Prokurorinë e Përgjithshme u organizua një takim mes krerëve të lartë të policisë dhe përfaqësuesve të Guardia Di Finanza ku mësohet se u pasqyruan të gjitha provat, mes tyre regjistrimet filmike të marrë nga avionët si dhe bisedat telefonike të cilat dyshohet se zbardhin tregtinë e lëndës narkotike.
Burime pranë prokurorisë bëjnë me dije se grupi i punës kryesohet nga kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i cili ka përzgjedhur dhe disa nga oficerët e policisë gjyqësore pranë drejtorisë së policisë Tiranë.
Dosja e deleguar nga drejtori i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj është një nga dosjet më të mëdha të 10 viteve të fundit mbi trafikun e lëndëve narkotike e cila i është vënë në dispozicion prokurorisë.
Lazarati renditet si një ndër zonat me sipërfaqen më të madhe të mbjellë me kanabis, vlera e të cilit në tregun europian në një vit sipas autoriteteve italiane kap shifrën e 4.5 miliardë eurove./tema/