Lajme Shqip Saturday, 22 June 2013 11:24

Tiranë – Partitë politike në Shqipëri mbrëmë i dhanë fund fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të së dielës.

Dita e shtunë është heshtje zgjedhore, ndërsa të dielën shqiptarët do të japin votën e tyre në qendrat e votimit që do të hapen nga ora 07.00 e mëngjesit. 
Partitë politike mbrëmë përmes mitingjeve kryesore kanë mbyllur fushatën njëmujore, duke mbajtur tubimet qendrore në qendrat më të mëdha të vendit. 
Partia Demokratike i dha fund fushatës me një miting në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku më pas vijoi një koncert festiv. 

Ndërsa Partia Socialiste mbylli fushatën në Shkodër dhe më pas në Vlorë. Partitë e tjera politike gjithashtu mbyllën fushatën përmes mitingjeve finalizuese dhe takimeve me qytetarët dhe forma të tjera të fushatës. 
Në votimet e 23 qershorit gara kryesore do të zhvillohet midis dy koalicioneve politike, të djathtëve dhe të majtëve. Koalicioni i së majtës i quajtur “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” e udhëhequr nga Partia Socialiste tubon rreth 40 parti politike.

Ndërsa koalicioni ““Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” i udhëhequr nga PD tubon 24 parti politike. 

Në garën zgjedhore janë edhe partitë e tjera politike LSI, FRD, Aleanca Kuq e Zi dhe partitë tjera më të vogla. Ndërsa kësaj gare i janë bashkëngjitur edhe deputetë të pavarur mes tyre politikanët e njohur si Arben Malaj, Nikollë Lesi, Dritan Prifti dhe emra tjerë në disa qarqe. 
Këto janë zgjedhjet e teta parlamentare që nga demokratizimi dhe fillimi i pluralizmit politik në Shqipëri.

Gjithsej mbi 3.1 milion zgjedhës janë të regjistruar për votimet e 23 qershorit.

Për herë të dytë zbatohet sistemi zgjedhor proporcional-rajonal. Vendi është ndarë në 12 qarqe prej ku do të dalin 140 deputetët e parlamentit të ri.

Përveç vëzhguesve lokalë, rreth 550 vëzhgues ndërkombëtarë nga OSBE-ODIHR, Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian, NATO dhe BE do të ndjekin nga afër zgjedhjet.

Këto zgjedhje konsiderohen si një test i rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri dhe integrimet evropiane. /INA/LSH/