Lajme Shqip Wednesday, 14 December 2011 20:58

Tiranë – Përfaqësuesit në Takimin e Komisionit të Partneritetit të vendeve të A5 + SHBA miratuan sot një komunikatë të përbashkët, e cila mbështet përpjekjet e vendeve të rajonit për bashkëpunim për të realizuar anëtarësimin në BE dhe NATO.

Zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtme, Edmond Haxhinasto theksoi sot në konferencën pas takimit se “në takim kishim të ftuar Ministrin e  Jashtëm  të Republikës së Kosovës dhe ministrin e  Jashtëm të Serbisë për të marrë pjesë, pasi besojmë se gjithëpërfshirja e vendeve të rajonit në proceset integruese është rruga e vetme për të konsoliduar paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe për të çuar më tej axhendat kombëtare të integrimit”.

Haxhinasto theksoi se situata në veri të Mitrovicës është shqetësuese për sigurinë në rajon dhe vendet e Kartës së Adriatikut mirëpresin çdo hap për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve për qetësimin e situatës.

Shefi i diplomacisë shqiptare theksoi gjithashtu se në takim është mirëpritur edhe realizimi i një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për menaxhimin e kufijve.

“Ne shprehëm mendimin tonë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një çështje e përqafimit të vlerave themelore të integrimit evropin si dhe të anëtarësimit në NATO”, u shpreh Haxhinasto.

Sipas ministrit Haxhinasto, një aspekt i rëndësishëm i takimit ishte bashkëpunimi konkret midis vendeve të A5. “U diskutua për eksperiencën e shkëlqyer që kemi në bashkëpunimin në Afganistan, në fushën e sigurisë atje, në fushën e akademisë së policisë, të ekipeve të përbashkëta mjekësore, por theksuam se përpjekjet tona  të përbashkëta duhet të forcohen pasi duhet të ndihmojmë procesin e transferimit të autoritetit të sigurisë nga forcat e NATO-së tek ato të Afganistanit”, tha Haxhinasto.

Për këtë vijoi Haxhinasto, “një dimension i rëndësishëm për të cilin ramë dakord sot ishte angazhimi më i madh i shoqërisë civile në përpjekjet tona të përbashkëta për integrimin në NATO”.

Kryediplomati shqiptar tha se “shoqëria civile ka një rol të madh për të luajtur me qëllim që të ndërgjegjësojë shoqëritë e vendeve respektive për proceset integruese në NATO dhe nevojën e përqafimit të vlerave që qëndrojnë në themel të kësaj aleance”.

“Mesazhi kryesor që vjen nga ky takim është që pritshmëria e të gjithë vendeve tona është që Samiti i ardhshëm i Chikagos vazhdon të adaptojë politikën e dyerve të hapura për anëtarësimin në NATO. Politikë të cilën, Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, e mbështet plotësisht”, përfundoi zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto.