Lajme Shqip Friday, 04 November 2011 17:40

Mund të duket e çuditshme por ndodh. Numri 2 i qeverisë shqiptare Edmond Haxhinasto është takuar me homologun e tij serb Vuk Jeremiç ku ka diskutuar edhe për “problemin shqetësues” mes dy vende siç është njësimi i diplomave por jo për situatën në veri të Kosovës dhe qasjen që ka ndaj saj Beogradi zyrtarë.

Kështu sipas njoftimit të zyrës së shtypit të ministrisë së jashtme shqiptare mësohet se Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Edmond Haxhinasto është takuar me ministrin e jashtëm të serbisë Vuk Jeremic gjatë pjesemarrjes në Samitin i Nismës së Evropës Qendrore (CEI) e cila u mbajt në Beograd.

Bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve dhe afrimi i komuniteteve të biznesit ishte një nga temat që u identifikua nga bashkëbiseduesit si një drejtim i rëndësishëm i bashkëpunimit në të ardhmen.

Në këtë drejtim, tha z. Haxhinasto, do të ishte me mjaft interes mbajtja e një forumi të përbashkët të biznesit, gjatë të cilit komunitetet e biznesit të dy vendeve do të forconin më tej lidhjet dhe bashkëpunimin, si dhe do të identifikonin fushat me interes të ndërsjellë, përfundon njoftimi i ministrisë së jashtme të Shqipërisë.