Lajme Shqip Tuesday, 24 April 2012 14:13

Tiranë – Zv.Kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, theksoi sot në ditën e dytë të Konferencës së Asamblesë parlamentare të NATO-s, “Mbrojtja inteligjente në Europën Juglindore” të mbajtur në Tiranë se, “një sfidë shumë e madhe e Aleancës, e theksuar edhe gjatë Ministerialit të fundit në Bruksel, është dhe konsolidimi i stabilitetit në Kosovë, në veri të Mitrovicës”.

Ministri Haxhinasto tha se, “nisma ‘Smart Defence’ përveç trajtimit të një sërë çështjeve të kapaciteteve të ndryshme, të identifikuara tashmë, siç janë, Mbrojtja Raketore, Sistemi i Mbikëqyrjes të Terrenit të Aleancës, Transporti Ajror, etj, paraqet mbi të gjitha një përqasje të re mbi gjenerimin, mbi konceptimin e gjenerimit të aftësive mbrojtëse, të cilat do të duhen të aplikohen në të ardhshmen”.

Sipas tij, Shqipëria ka qenë e hapur dhe do të jetë gjithmonë e hapur për të kërkuar mënyrat e duhura dhe pragmatiste të bashkëpunimit me vendet e Aleancës, por edhe me vende të tjera, me aktorë të tjerë të tjerë të sigurisë jashtë NATO-s, siç mund të jetë BE-ja si dhe vende të tjera partnere, siç është rasti shumë konkret në kuadër të ISAF-it në Afganistan. Ministri Haxhinasto theksoi rëndësinë e veçantë që ka kontributi që japin Parlamentet, në funksion të përpjekjeve, të objektivave që duhen arritur në kuadër të Aleancës, në kuadër të bashkëpunimit të saj me partnerët, në kuadër të adoptimit të koncepteve të reja që ajo ka.

Ministri i jashtëm tha se, “ne besojmë gjithashtu se mundësia për të krijuar kapacitete në rajon, vjen në mënyrë paralele me proceset integruese të vetë rajonit. Procesi integrues në BE, krijon mundësi dhe kapacitete resuse, të cilat mund të angazhohen së bashku”. Një mënyrë e rëndësishme për rritjen e kapaciteteve është integrimi i këtyrë vendeve në NATO duke i afruar ato vende që aspirojnë të bëhen pjesë e aleancës tha ministri jashtëm Edmond Haxhinasto. (LajmeShqip.com)