Lajme Shqip Friday, 18 March 2011 00:38

Prishtinë – Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë,  Edmond Haxhinasto, do të nis sot një vizitë zyrtare dyditëshe në Republikën e Kosovës, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të vendit, Enver Hoxhaj.

Sipas MPJ të Kosovës, gjatë kësaj vizite, Haxhinasto do të ketë takime me përfaqësues të ndryshëm institucionalë, të partive politike, shoqërisë civile dhe përfaqësues ndërkombëtarë.

Takimin e parë zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë,  Edmond Haxhinasto, do ta ketë me homologun e tij të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Në takim do të diskutohet për thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe për rolin e Shqipërisë në mbështetjen e Republikës së Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në mekanizmat financiarë, rajonalë dhe të sigurisë.

Temë e takimeve do të jetë edhe hapja e pikave të reja kufitare për kalimin e mallrave.

Sot, Haxhinasto do të pritet nga Kryeministri  Hashim Thaçi, e më pastaj nga zv/kryeministri dhe ministri i Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviç, i cili është nga komuniteti serb,  kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe me përfaqësuesit e partive LDK, Vetëvendosje e AAK.

Ditën e dytë të vizitës (nesër), ministri Haxhinasto e fillon me audiencë te Presidenti Pacolli dhe vazhdon me homazhe te varri i ish-Presidentit Rugova dhe vizitë në familjen Rugova, për t’u nisur pastaj drejt Prekazit për vizitë në memorialin e familjes Jashari.