Lajme Shqip Wednesday, 07 December 2011 11:20

Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, mori pjesë në punimet e Mbledhjes së 18-të Ministeriale të OSBE-së, të zhvilluar në Vilnius të Lituanisë, që mban kryesinë e radhës së OSBE-së.

Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se në fjalën e tij gjatë këtij Ministeriali, Haxhinasto informoi vendet pjesëmarrëse se Shqipëria ka prioritete të rëndësishme në këtë Organizatë, ku synojmë të marrim Kryesinë e OSBE në një të ardhme të afërt dhe të rrisim angazhimin tonë në fushën e tolerancës dhe mosdiskriminimit. “Shqipëria ka treguar se mund të marrë rolin udhëheqës për të punuar për paqen dhe sigurinë në një rajon historikisht të vështirë si Ballkani Perëndimor”, tha  Haxhinasto.

Duke u ndalur tek Kosova, Haxhinasto shprehu mbështetje për dialogun Kosovë-Serbi, mirëpriti marrëveshjen e fundit mbi menaxhimin e integruar të kufijve dhe bëri thirrje për një zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritura mes palëve. “Pavarësia e Kosovës, e deklaruar në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare, ka kontribuar pa dyshim për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe ofron një mundësi pajtimi për serbët dhe shqiptarët”, vijoi z. Haxhinasto.

Në fjalën e tij shefi i diplomacisë shqiptare u ndal në zhvillimet demokratike në vendet partnere të Afrikës së Veriut dhe shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të ndarë me këto vende përvojën e saj dhe praktikat më të mira të përftuara gjatë tranzicionit.

Gjatë punimeve të këtij Ministeriali, ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, pati një takim me Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, me të cilën diskutoi për situatën në rajonin e Ballkanit, për zhvillimet në Shqipëri si dhe për çështje në kuadër të punës së OSBE-së.

Gjithashtu, gjatë punimeve të Mbledhjes së 18-të Ministeriale të OSBE-së, Haxhinasto u takua me ministrin francez për Evropën, z. Jean Leonetti, gjatë të cilit shprehu angazhimin e plotë të Shqipërisë për të avancuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe kërkoi mbështetjen e Francës në këtë drejtim. Ministri Francez për Europën, z. Leonetti, vlerësoi politikën rajonale të Shqipërisë, në funksion të paqes dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.

Një tjetër takim ministri Haxhinasto e zhvilloi me homologun e tij të Danimarkes, Villy Sovndal, e cila do marrë Presidencën e radhës të BE-së gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2012. Në këtë kontekst, Haxhinasto informoi ministrin Sovndal për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe kërkoi mbështetjen e mëtejshme të Danimarkës në procesin tonë të integrimit evropian. Ai  konsideroi se do të ishte me rëndësi që Presidenca daneze e BE-së të dërgojë një sinjal të fortë në mbështetje të perspektivës Evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu z. Haxhinasto pati një takim të veçantë dhe me ministrin e Jashtëm të Bullgarisë, Nikolaj Mladenov, me të cilin diskutoi për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe situatën në veri të Kosovës.

Ministri Haxhinasto zhvilloi takime edhe me ministrin e Jashtëm gjerman, Westerwelle, ministrat e Jashtëm të Qipros, të Zvicrës, Finlandës, etj.