Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 14:30

Tiranë-Në kuadrin e aktiviteteve që organizohen në Shqipëri e Kosovë, me rastin e 4 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti sot një grup të rinjsh kosovarë nga organizata joqeveritare “Uniteti Rinor”.

Duke folur mbi procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Haxhinasto u shpreh se “ne ndjekim me shumë vëmendje këtë proces, i cili është shumë i rëndësishëm për të zgjidhur disa çështje etnike që ekzistojnë midis dy shteteve, sigurisht bazuar mbi respektin reciprok dhe mirënjohjen e asaj që përfaqëson çdo shtet sovran”.

Sipas Haxhinastos, “ky është edhe qëllimi i këtij procesi, të konkludohet sa më shpejt çdo marrëveshje e arritur me qëllim që ajo që arrihet të përkthehet si cilësi tjetër jete për qytetarët e dy vendeve, si për Serbinë, edhe për Kosovën”.

“Ne si Republikë e Shqipërisë përshëndesim të gjithë problematikën që Kosova ka përsa i përket njohjeve të reja”, theksoi Haxhinasto, duke shtuar se “e mbështesim atë në rritjen e numrit të njohjeve dhe shikojmë me kënaqësi se kjo ka arritur në shumë dinamika pozitive për shumë vende që janë në procesin e njohjes së Kosovës. Faktet tregojnë që ky ku numër po rritet vazhdimisht”.

“Një sfidë e madhe për Kosovën është që ajo të vazhdojë me hapa të sigurtë në integrimin drejt Bashkimit Europian. Është kënaqësi të shikojmë ndërmarrjen e hapave të parë në procesin e liberalizimit të  regjimit të vizave në zonën Shengen. Shpresojmë që shumë shpejt Kosova të ketë një marrëveshje të re kontraktuale me BE-në, që do ta zhvendosë atë në mënyrë të qartë e konkrete në një proces integrimi”, tha Haxhinasto.

Zv/kryeministri Haxhinasto theksoi gjithashtu se Shqipëria mbështet edhe integrimin e Kosovës në NATO. “Dëshirojmë që ky proces të vazhdojë me hapa të tjerë cilësorë, me qëllim që edhe Kosova të jetë në procesin e anëtarësimit në këtë aleancë, që është aleanca ku aspirohet të jenë të gjithë vendet e Ballkanit, duke folur për Malin e Zi, për Bosnje Hercegovinën dhe jam i bindur që në një të ardhme të afërt edhe Serbia”, tha Haxhinasto.    

Sipas ministrit Haxhinasto, janë shumë punë për të bërë. “Ky përvjetor i 4-t është një moment shumë i mirë për të kujtuar gjithë ato sakrifica që janë bërë nga populli i Kosovës, personalitetet e tij, nga figura të shquara të tij, nga Ibrahim Rrugova, nga dëshmorët që dhanë jetën për çlirimin e saj, por është e rëndësishme të shohim çfarë Kosova duhet të arrijë dhe sidomos ju, brezi i ri,  që do të keni përgjegjësi të mëdha për ta berë Kosovën anëtare të BE. Jam i sigurt që ju do të keni përgjegjesitë e duhura në mënyrë që Kosova të realizojë me sukses sfidat që ka”, iu drejtua ministri të rinjve kosovarë.

Duke folur për referendumin e serbëve në veri të Kosovës, Haxhinasto tha se “ne vlerësojmë që nuk është mënyra kjo për asnjë komunitetet në Kosovë që të realizojë integrimin e plotë në shoqërinë e Kosovës . Kosova ka një Kushtetutë, nga më modernet në Europë, garanton në mënyrë ligjore të drejtat e të gjithë minoriteteve e komuniteteve si një shoqëri e cila është e hapur e multietnike, prandaj dua të përsëris që ky referendum nuk ka asnjë gjë ligjore, nuk njihet nga komuniteti ndërkombëtar, por rruga për t’u integruar është duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh ministri Haxhinasto.

Qëllimi i vizitës së përfaqësuesve të rinj kosovarë në Shqipëri ishte diskutimi mbi perspektivën e Kosovës dhe rolin e Shqipërisë në integrimin europian të shtetit të Kosovës. (LajmeShqip.com)