Lajme Shqip Friday, 11 November 2011 15:30

Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti sot në takim kongresmenin amerikan Gary Peters.

Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se të dy bashkëbiseduesit vlerësuan maksimalisht nivelin e marrëdhënieve politike midis dy vendeve, duke i konsideruar ato si marrëdhënie mes aleatësh, si dhe shprehën synimet që këtij niveli duhet t’i përgjigjen edhe marrëdhëniet në fushën ekonomike.

Z. Haxhinasto vlerësoi arritjet e forumit të biznesit në New York, dhe kërkoi që tashmë për investitorët amerikanë, Shqipëria nuk duhet konsideruar një treg i mbyllur, por falë projekteve infrastrukturore dhe marrëveshjeve me fqinjët, tashmë është një treg rajonal në zgjerim.

Ai sugjeroi që investitorët amerikanë të bashkëpunojnë në investime të tilla si energjia, mineralet, turizmi si dhe industria e shërbimeve.

Përsa i përket situatës në rajon u theksua se dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë pa kushtëzime, në dobi të prosperitetit dhe prioriteteve integruese që kanë këto vende.

U theksua gjithashtu se marrëdhëniet e mira midis Shqipërisë dhe Serbisë patjetër që do të krijojnë një situatë pozitive edhe në Kosovë.

Gjatë takimit, bashkëbiseduesit u ndalën në marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje, duke vlerësuar rolin e qeverisë dhe faktorit shqiptar në stabilitetin rajonal. Bashkëpunimi në organizatat ndërkombëtare me SHBA u konsiderua si partneritet i shkëlqyer dhe si i tillë do të vazhdojë të mbetet në të ardhmen.

Peters është një kongresmen demokrat i shtetit të Michiganit, ish-senator, anëtar i Komitetit të Shërbimeve Financiare të Kongresit dhe një nga personat kyç të hartimit të paketës ligjore për reformimin e Wall Street, si promotor i uljes së taksave për familjet e mesme dhe bizneset e vogla.